Hapet xhamia e re në Tiranë Velija: “Kush ndërton një xhami, ndihmon një zonë të tërë”

Myftiu i Tiranës, Lauren Luli, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe dhjetëra besimtarë të zonës, hapën dyert e xhamisë së re në rrugën “Hamdi Cullaj”.

Kryebashkiaku Veliaj uroi besimtarët dhe u shpreh se kush ndërton një xhami, ndihmon një zonë të tërë, që në ditën e nevojës, qoftë fatkeqësi apo situatë emergjente, gjejnë strehë, shpresë dhe dashuri.
“Më vjen mirë që xhamia hapet në muajin e shenjtë të Ramazanit. Të qenit qytet, të qenit bashki, është e lidhur me xhaminë, sidomos Tirana, e cila ka lindur prej ndërtimit të xhamisë. E vlerësoj shumë kontributin e vëllezërve që shërbejnë cep e më cep. Kur ndodhi tërmeti, një pjesë e madhe e njerëzve që u ndjenë shumë të shqetësuar, të rrezikuar, u mblodhën në xhami, sepse ndjenë besim, duke u bërë bashkë me të tjerët për të kaluar një moment të vështirë. Gjatë kohës së pandemisë shumica e xhamive të Tiranës u kthyen në mensa për ata që ishin të vetmuar, që s’dilnin dot nga shtëpia”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që kanë kontribuuar për njerëzit në nevojë, jo vetëm gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Dua të falenderoj me gjithë zemër ata që kanë kontribuuar, qoftë me ndërtimin e xhamisë, qoftë me zbukurimet e vogla; keni gjithë mirënjohjen time dhe shpërblimet e Zotit të madh”, tha Veliaj.
Myftiu i Tiranës, Lauren Luli tha: “Dita e sotme është nga ato ditë të lumturuara dhe të gëzuara, që jo vetëm që përkojnë me muajin e begatë të Ramazanit, por është gëzimi që na sjell hapja e kësaj xhamie, një prej atyre dhjetëra e qindra xhamive të cilat nuk u shërbejnë vetëm besimtarëve myslimanë, por të gjithëve”.