Hapet sërish grup me foto eksplicite, MPB heton rastin

Pas mbylljes së grupit “Javna soba” në rrjetin social “Telegram” është shfaqur një grup i ri. Ka emrin dhe qëllimin e njëjtë. Përsëri janë publikuar fotografi eksplicite. Nga Ministria e Brendshme thonë për Alsat se kallëzime penale do të ngrihen kundër katër personave që u ndaluan dje.

Policia është ende në kërkim të krijuesve të grupeve, si dhe atyre që ndanë fotografi me thirrje seksiste. Ndërkohë, ambasada e parë e fëmijëve “Megjashi” thotë se këtë vit askush nuk ka raportuar abuzim të fëmijëve siç është rasti me “Javna soba”. Ata kanë këshillë për prindërit: “Çdo reagim i dhunshëm i fëmijëve të tyre, ndryshime të papritura, madje edhe tërheqje nga jeta shoqërore ose rrjetet, mund të jetë shenjë që fëmija është abuzuar”.

“Është e rëndësishme që i rrituri t’i japë fëmijës mundësinë për të folur në lidhje me të, për ta ndarë atë ndjenjë. Si dhe të vërejë kur ka dhunë”, tha Jordanaka Trajkoska, “Megjashi”. Nga “Megjashi” këshillojnë që të kenë kujdes me fotografitë nga plazhi.

“Është fotografi personale. Para rrjeteve sociale, kishim albume që ishin pronë personale të cilat ua tregonim një numri të kufizuar të njerëzve”, tha Jordanaka Trajkoska, “Megjashi”. Platforma për barazi gjinore bën thirrje për zbardhje të plotë të rastit. Në mbështetje të viktimave të rastit, ata për të mërkurën njoftuan marshim nga Ministria e Brendshme deri në Prokurori.