Hancock: Në pranverë mund të “shpëtojmë” nga koronavirusi

Ministri i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Matt Hancock, përshëndeti miratimin e vaksinës Oxford/AstraZeneca, duke shtuar se deri në pranverë, vendi do të “shpëtonte” nga koronavirusi. Vaksina, e zhvilluar në Universitetin e Oksfordit, me mbështetjen e gjigantit farmaceutik britanik-suedez, AstraZeneca, është bërë e dyta vaksinë që merr miratimin nga Agjencia Rregullatore për Barnat në Britani.

Në një intervistë me Sky News, Hancock tha se Mbretëria e Bashkuar ka porositur 100 milionë doza të mjaftueshme për të vaksinuar të gjithë popullsinë. “Ka një rrugë për të dalë nga kjo. Vaksina e siguron atë rrugëdalje. Tani mund të themi me besim se do të jemi në gjendje të dalim nga kjo deri në pranverë dhe do të vaksinojmë njerëzit sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.

Ministri i Shëndetësisë u shpreh po ashtu se miratimi i vaksinës Oxford/ AstraZeneca ishte, “një lajm i mirë për të gjithë botën”, për shkak të çmimit relativisht të ulët dhe kushteve të lehta të transportit.

“Ky është një lajm i mirë për të gjithë botën, sepse kjo vaksinë është relativisht e lirë për t’u prodhuar dhe mund të ruhet në një temperaturë normale. Mund të përdoret në të gjithë botën.” Edhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, e konsideroi miratimin e vaksinës, një lajm vërtet fantastik dhe një triumf për shkencën Britanike.