Hamdi Sulemani: Tetova gjithmonë ka qenë zë i ndryshimit


Hamdi Sulemani nga Lëvizja Qytetare “Më mirë për Tetovën”, në Programi 200, ka folur në lidhje me reagimin qytetarë kur diçka nuk shkon si duhet në vend, derisa ka theksuar se Tetova gjithmonë ka qenë një zë i ndryshimit dhe sipas tij, gjithmonë ka pasur reagime kur diçka nuk ka qenë në rregull.

“Njihemi pasi që 7-8 vitet e kaluara qysh nga protestat për ajër të pastër, për Kodrën e Diellit dhe tani për këtë që jemi në Këshillin Komunal, dhe qytetarët këtë e vlerësojnë se ka njerëz që e ngritin zërin dhe i tregojnë pakënaqësitë. Kjo në Komunën e Tetovës për së pari herë po ndodhë, ashtu po thonë edhe ata që e menaxhojnë komunën se nuk ka pas në histori ndonjëherë që të bllokohet ndonjë procedurë në Këshillin Komunal, apo të kritikohet një kryetar komunë i cili nuk e ka menaxhuar punën mirë. Prandaj tetovarët zgjodhën ndryshimin dhe ne e kërkuam ndryshimin të jetë edhe aty në Këshillin Komunal qytetit t’i ofrohet një mundësi më e mirë”, tha Sulemani.

Ai ka treguar në detaje se cila ishte arsyeja e mosvotimit të buxhetit dhe llogarisë përfundimtare, ku si pasojë e kësaj pritet Këshilli Komunal i kësaj komune të shkojë në zgjedhje.

Ai tha se kërkuan një narrativë të buxhetit, derisa tregojë se nuk e morën për arsye se nuk kishin kohë të arrijnë dhe pikërisht sipas tij këtu qëndron problem, derisa theksoi se shpreson të jetë një ngatërresë e administratës e jo një skenar politik.

“Administrata komunale do të duhej që në mënyrë ligjore deri më datë 28 shkurt të dorëzojë tek Këshilli Komunal llogarinë përfundimtare. Tek ne llogaria përfundimtare arriti me datë 31 mars derisa datën e fundit që ta kenë miratuar ata kanë pasur datën 15 mars, dhe këtu ndodhë shkelja e parë ligjore, ku nuk ishte transparente apo nuk u tregua një rezultat final i asaj llogarie. Kjo ndodhi njëjtë edhe në përpilimin e buxhetit të vitit 2022 dhe ne aty kërkuam një narrativë të atij buxheti ku më pas bëmë disa ndryshime dhe e votuam, njëjtë edhe këtu kërkuam një narrativë, ata nuk kishin kohë të arrijnë dhe këtu ndodhë problemi, dua të besojë se është një ngatërresë e administratës e jo një skenar politik. Dhe me këtë vonesë u bë që të mos votohet”, tha Sulemani./Alsat/