Hallet në Gjimnazin e Tetovës s’kanë të ndalur, mësimdhënësit në bojkot për shkak të vonesës në rroga

Gjysmëvjetori i dytë akoma nuk ka filluar për nxënësit e gjimnazit “Kirill Pejçinoviq” në Tetovë. Profesorët bojkotojnë mësimin për shkak se dy muajt e fundit, pagat i kanë marrë me nga dy javë vonesë. Profesorët thonë se me këto vonesa po nëpërkëmbet dinjiteti i tyre.

“Vërtetë është nëpërkëmbje shumë e madhe sepse nuk është hera e parë e tha edhe kolegu. Ne mendojmë se kësaj praktike duhet ti vij fundi sepse me Ligj duhet rrogat të jepen deri më datë 15, ndërsa me datë 16 ne mund edhe të padisim. Andaj le të jetë si vërejtje kjo sepse edhe herën e parë njëjtë ndodhi. Nuk kemi asnjëfarë shpjegimi përse vonohen rrogat, nëse edhe muajin e ardhshëm një ditë vonohen rrogat, ne e njoftuam drejtorinë hyjmë menjëherë në bojkot”, tha Ismail Amiti, Profesor.

“Nuk është normale kjo sepse nuk është hera parë kjo, sërish përsëritet. Dihet që pjesa më e madhe e punëtorëve të arsimit kanë kredi kanë fatura rrymë telefonat dhe gjithë kërkojnë pagesë dhe kanë kamata. Vetë pushtetarët e kanë sjellë Ligjin për rrogën dhe të njëjtin vetë nuk e respektojnë. Në mënyrë drastike na është ulur dinjiteti”, deklaroi Ejup Ramadani.Profesor.

Edhepse në Shkollë tash dy ditë nuk ka nxënës, drejtoresha thotë se zyrtarisht nuk ka bojkot. Për situatën e krijuar fajëson politikën.

“Asnjë informacion zyrtar për çështje bojkoti nuk kam. E ajo që po vazhdon politika me Gjimnazin, e shihni politika ka hy aq thellë dhe aq janë instrumentalizuar mësimdhënësit, sa që më nuk e dinë se kujt i shërbejnë”, u shpreh Teuta Llalla. Drejtoreshë e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” Tetovë.

Për gjendjen e krijuar në gjimnazin “Kirill Pejçinoviq”, sektori i arsimi i Komunës së Tetovës fajëson Ministrinë e Arsimit.

“Ende kjo s`ka lidhje me komunën se bllok dotacionet janë ende në Ministri. Kompetencat na u kthyen para një javë dhe jemi në procedurë të kërkojmë nga Ministria e Arsimit e shkencës , që mjetet e dotacioneve për Gjimnazin, nga Ministria të transferohen në komunë dhe kjo do të zgjidhet. Me kalimin e këtyre mjeteve në komunë, nuk do të ketë asnjë problem as me rroga as me asgjë”, tha Nazmi Dauti, sektori për arsim komuna e Tetovës.

Kujtojmë se ky gjimnaz ishte mollë sherri mes Komunës dhe Ministrisë së Arsimit. Kjo e fundit i kishte marrë ingerencat komunës. Por vendimi i fundit i Gjykatës Administrative ishte në favor të Komunës së Tetovës, duke ia kthyer këto kompetenca komunës. Autoritetet lokale kanë paralajmëruar se pas kthimit të kompetencave do të vazhdojnë procedurat për shkarkimin e drejtoreshës Teuta Llalla, e cila, sipas komunës, ka bërë keqpërdorime. /Alsat.mk