Haliti komenton tensionet në veri: Kosova ra në grackën e Vuçiqit


Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se Qeveria e Kosovës ka rënë në grackën e përgatitur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, Vuçiq ka pasur si qëllim që të shkaktoheshin këto trazira në mënyrë që ta shmangte dialogun.

“Mua më duket se qeveria jonë ka rënë në grackën e Vuçiqit, për të krijuar probleme me qëllim që ata të mos e vazhdojnë dialogun. Me 100 vota mua më duket e vështirë për të funksionuar si institucion në një vend ku më shumë se 90% janë qytetarë të komunitetit serb dhe për më tepër janë të dëgjueshëm ndaj Beogradit, e kur them këtë mendoj se situata mund të ndikojë negativisht”,-tha Haliti për Euronews.

I pyetur se nëse kjo situatë mund të ndikojë në “Marrëveshjen e Ohrit”, Haliti tha se për një farë kohe Vuçiq do të mungojë në takime, por nuk ka arsye që bisedimet të ndërpriten.

“Unë mendoj se do mungojë Vuçiqi në takime për një kohë e më pas do vazhdojnë bisedimet, pasi nuk ka kuptim të mos vazhdojnë bisedimet. Problemi është a do pranohet kjo qeverisje dhe a do pranohen kryetarët e komunave të zgjedhur vetëm nga votat e shqiptarëve dhe komuniteteve pakicë dhe si do vazhdojë kjo. A do vazhdojë kjo me policë? Kujt do i shërbejë kjo?”, tha Xhavit Haliti.