“Hajni” që nuk i lë rehat banorët e Gostivarit?- Lloga: Do të shkoj vet në seancën e Këshillit Gjyqësor

Krenar Lloga deklaroi se nuk është i informuar për rastin e “hajnit” të Gostivarit, i cili edhe pse ka shkaktuar 56 vjedhje, vazhdon të jetë i lirë pasi Gjykata e Apelit ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës Themelore. Sipas tij, për këto raste komptetent është Këshilli Gjyqësor Republikan.

Lloga paralajmëroi se edhe përkundër faktit se 5 apo 6 ministrat e kaluar të Drejtësisë nuk kanë marrë pjesë në seancat e Këshillit Gjyqësor, ai vet do të shkojë në seancën e radhës dhe do t’i shpalosë të gjitha shqetësimet e tilla në këtë këshill.

Ai shprehu edhe një shqetësim tjetër që po ndodh në tre gjykata të vendit, si ajo Themelore në Tetovë dhe Penale dhe Apeli në Shkup. Sipas Llogës, nga takimi me përfaqësuesit amerikan ka kuptuar se në këto tre gjykata ka salla të pajisura me sistem për audio dhe video inçizim të seancave, por që nuk janë vënë asnjëherë në përdorim.

“Kam qenë i shokuar kur gjithë ky investim amerikan në tre salla të gjykatave në vend nuk ka qenë aspak i përdorur”, tha Lloga, i cili shtoi se ka kërkuar menjëherë sqarim nga krerët e këtyre gjykatave./KlanMacedonia