Hahn në Shkup për integrimin: Është në dorën tuaj të vendosni për të ardhmen e vendit tuaj


Komisioneri Europian për zgjerimin Johanes Hahn deklaroi sot në Shkup se dyert e BE-së janë të hapura për Maqedoninë. Hahn, cili cili ka njoftuar fillimin e procesit të shqyrtimit të kritereve të nevojshme për anëtarësim, tha gjatë një konference për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev, se ky proces gjithashtu shënonte nisjen zyrtare të përgatitjeve për negociatat me BE-në.
Ai vlerësoi prioritetet reformuese me të cilat ka punuar qeveria vitin e fundit, por edhe marrëveshjen e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, dhe sigurisht atë për emrin të arritur me Greqinë. ” Është në dorën tuaj të vendosni për të ardhmen e vendit tuaj në mënyrë sovrane dhe të lirë. Qytetarët duhet të marrin vendimin përfundimtar, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike si dhe të marrin pjesë në referendumin e ardhshëm, ” theksoi komisioneri europian.
Ndërsa kryeministri maqedonas Zoran Zaev, tha se pas përmbushjes së reformave, tashmë është koha që vendi i tij të fillojë bisedimet për anëtarësim me BE-në. “Kemi rënë dakord se duhet të fillojmë përmbushjen e kritereve të nevojshme për anëtarësim dhe kemi caktuar hapat e ardhshme që do të merren në këtë proces” tha Zaev. Sipas tij zëvendëskryeministri për integrimet Europiane Bujar Osmani do të jetë kreu i delegacionit që do të drejtojë bisedimet me BE-në.