“Haga” Haradinaj: Gabim i madh, pranuam para të gjithëve se nuk jemi të zot

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pranuar përballë gazetares së Ora News, Matilda Mcini se ai ka qenë gjithmonë kundër ndërtimit të Gjykatës Speciale të Hagës.
Haradinaj për Ora News ka thënë se gjykata ka tipare vetëm të një etnie, ndërkohë që shton se me votimin e nisjes së gjykatës u pranua para të gjithëve se “nuk jemi të zot për të gjykuar drejt që është gabim i madh dhe strategjik afatgjatë.”

Haradinaj: Ishte gabim votimi i kësaj gjykate. Në atë kohë unë personalisht dhe Aleanca nuk e ka votuar. Kemi qenë të hapur për gjykatën dhe jemi çdo herë për drejtësi e për gjyqësor, jemi të interesuar që të zbardhet e të vendoset e vërteta për viktimat në Kosovë, sepse ne jemi viktima.

Ne kemi kërkuar që t’i besohet ajo gjykatë Kosovës si çdo shtet i pavarur, njëkohësisht që të mos jetë një etnike. Këto dy vrejtje kemi pasur. Votimi i z. Thaçi, i z. Veseli, i PDK në atë kohë ka qenë gabim, për shkak se kanë pranuar të votojnë një gjykatë që ka shprehur direkt mosbesim për sistemin vendor të drejtësisë dhe në shtetin e Kosovës, për këtë arsye është vendosur jashtë vendit.
Njëkohësisht është edhe njëetnike, pra në atë kohë është menduar si një gjykatë vetëm për UÇK dhe mendojmë që është gabuar.

A do duhej që politika e Kosovës të merrte të njëjtën iniciativë ndaj palës tjetër, asaj serbe?
Haradinaj: Mendoj se Kosova ka mundur të ndërtojë një gjykatë, në këtë kohë kur është kërkuar nga aleatët tonë amerikanë dhe evropianë, votimi i një gjykate të kësaj natyre, Kosova ka mundur ta votojë këtë gjykatë në Kosovë. Është e Kosovës, me ligje të Kosovës, e votuar në Kosovë. Ndërsa ia kemi lënë mundësinë e aktivitetit të kësaj gjykate edhe jashtë vendit.

Gabimi i parë ka qenë që nuk kemi hequr dorë nga vetja dhe nga zotësia që ne jemi bërë gjyqësor me gjykime të drejta, pa pasur parasysh përkatësinë etnike. Kemi pranuar para të gjithëve që nuk jemi të zot për të gjykuar drejt që është gabim i madh dhe strategjik afatgjatë.