Guterres: Bota ndodhet në një pikë kritike për shkak të pandemisë

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres paralajmëroi sot se bota ishte në një “pikë kritike” dhe bëri thirrje për një model të ri për qeverisjen globale për të trajtuar pabarazitë e rënduara nga pandemia e koronavirusit.
Në një ligjëratë në internet, Guterres tha se pandemia “është krahasuar me një rreze x, që zbulon fraktura në skeletin e brishtë të shoqërive që kemi ndërtuar”.

“Po ekspozon gabime dhe gënjeshtra kudo, gënjeshtra që tregjet e lira mund të ofrojnë kujdes shëndetësor për të gjithë, që puna e kujdesit të papaguar nuk është punë, që po jetojmë në një botë postraciste si edhe miti që jemi të gjithë në të njëjtën varkë”, tha shefi i OKB-së.
Ai përshkroi nxitësit kryesorë të pabarazisë, përfshirë racizmin sistemik, trashëgiminë e kolonializmit, patriarkalitetin, boshllëqet në qasjen në teknologji dhe pabarazitë në qeverisjen globale.

“Kombet që dolën në krye të 70 viteve më parë nuk kanë pranuar të mendojnë për reformat e nevojshme për të ndryshuar marrëdhëniet e pushtetit në institucionet ndërkombëtare”, tha Guterres në fjalimin e tij të hapur.
Guterres tha se përgjigjja ndaj pandemisë “duhet të bazohet në një kontratë të re sociale dhe një marrëveshje të re globale që krijon mundësi të barabarta për të gjithë dhe respekton të drejtat dhe liritë e të gjithëve”.
”Modeli i ri do të sigurojë pjesëmarrje gjithëpërfshirëse dhe të barabartë në institucionet globale, globalizim të drejtë, një zë më të fortë për botën në zhvillim në vendimmarrjen globale dhe një sistem tregtar shumëpalësh, më gjithëpërfshirës dhe të ekuilibruar”, tha ai.