Grupi i Kumanovës vazhdon grevën e urisë! – Arifi: “Pritet që brenda muajit të transferohen në burg tjetër”

Ka tre ditë që të dënuarit për rastin “Lagja e Trimave” janë në grevë urie dhe po flenë e po qëndrojnë në korridor. Një familjar i një prej të burgosurve tha se gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet dhe se nuk kanë trajtim të duhur mjekësor. Mirëpo këtë e mohon zv/drejtori i burgut të Shutkës, Sadush Arifi. Ai tha se të burgosurit e grupit të Kumanovës janë mirë dhe se i viziton rregullisht mjeku i burgut. Sipas Arifit burgu i Shutkës nuk mund t’ua lejojë lehtësimet që kërkojnë ata, sepse mungojnë rregulloret e vlerësimit të sigurisë, tretmanit, mundësisë për të punuar dhe për të drejtën e shfrytëzimit të vikendit të lirë.

“Një pjesë e tyre i plotësojnë kushtet për favore, për të dalë për vikend, për pushim dhe vizita familjare, mirëpo kushtet në hapësirat e burgut të Shutkës ne nuk i kemi që t’iu dalim në ndihmë të gjitha kërkesave që u takojnë si të burgosur. Pritet që brenda muajit të transferohen në burg të Idrizovës ose diku tjetër, e pastaj ata mund të u japin tretmanët e duhura. Me ligj u takon, plotësojnë kushtet, kanë qenë me sjellje normale të mire dhe nuk kanë asnjë pengesë për tu dhënë tretmanë”, tha Sadush Arifi – zv/drejtor i Burgut të Shutkës.

Tre nga tetë të dënuarit kanë ndërprerë grevën. Drejtori i Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve, Marjan Spasovski thotë se me të dënuarit që kanë ndërprerë grevën kanë arritur marrëveshje që t’u lejohet vizita e familjarëve në burg.

“Pas vizitës time në burgun e Shutkës prej tetë të burgosurve që ishin në grevë urie tre persona kanë ndërprerë grevën, ndërsa të tjerët vazhdojnë me grevën por janë në gjendje të mirë shëndetësore. Me personat që kanë ndërprerë grevën jemi marrë vesh që tu mundësohet vizita e familjarëve në burg. Ndërsa për favoret tjera si vikende të lira gjatë vikendeve jemi në bisedim e sipër, ata ende nuk kanë mundësinë të dalin jashtë burgut gjatë vikendit”, theksoi Marjan Spasovski, drejtor i DZS.

Nëntë të dënuarit për rastin “Lagja e Trimave” janë sjellë përkohësisht në burgun e Shutkës në mars të vitit 2020 nga ana e Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve, kjo për shkaqe sigurie, thotë zv/drejtori i këtij burgu Arifi. Të njëjtit janë të vendosur në hapësirat e paraburgimit. Ndryshe Arsim Bajrami, Musadik Pajaziti, Irfan Lutfiu, Elham Arifi dhe Sadaudin Abdullahu plotësojnë kushtet për të shfrytëzuar lehtësimet e lartpërmendura./TV21