Për nesër është shtyrë Komisioni Parlamentar për çështjet e mandatit dhe imunitetit, i cili do të shqyrtojë njoftimin e gjykatës për dënimin dyvjeçar të Nikola Gruevskit.
Komisioni duhet të nxjerrë konkluzion dhe eventualisht Kuvendit t’i rekomandojë t’ia heq mandatin e deputetit ish-kryeministrit. Për këtë do të nevojiteshin 80 vota. Grupi i ri parlamentar i VMRO-DPMNE-së tashmë ka deklaruar se nuk do të mbështesë marrjen e mandatit. Gruevski ka aktvendim të plotfuqishëm dhe më 8 nëntor është thirrur për të vuajtur burg për marrje të dhuratave dhe ndikim të paligjshëm në prokurimin e Mercedes të blinduar luksoz.
Në ndërkohë, Gruevski sot në rrjetin social Facebook ka cituar vargje të shkrimtarit Ivo Andriq, në të cilat theksohet: “I gjorë është ai i cili duhet ta nënçmojë dikë me qëllim që ta ngrit veten”. Nga ana tjetër, në rrjetin social “Facebook” për nesër në orën 19:00 paralajmërohen protesta para Gjykatës Penale me titullin “Drejtësi për Nikola Gruevskin”. Organizatorët e protestës nuk janë të njohur./Alsat/