Gruevski i del në mbrojtje Jankulloskës: Në Maqedoni nuk ka drejtësi


Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila vendosi të mos pranojë ankesat e Gordana Jankulloskës dhe konfirmoi vendimin e shkallës së parë, me çka ish-ministrja duhet të vuajë dënimin me bu*rg.
Nikolla Gruevski nëpërmjet një postimi në Facebook, thotë se nuk është i habitur nga vendimi i Gjykatës së Lartë, që sipas tij është vetëm një pjesë e përndjekjes politike të pushtetit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Zoran Zaev, përmes ndërmjetësve të tij që vepronin dhe transmetonin mesazhe në emër të tij, më shpesh avokati i tij i ngushtë, ushtronte vazhdimisht presion dhe ndikim në Gjykatën e Lartë dhe bëri të njëjtën gjë në gjykatat më të ulëta, përfshirë Gjykatën Penale për lëndë të tjera nga korpusi i atyre rasteve të krijuara me motive dhe ndërhyrje politike dhe që janë pjesë e përndjekjes politike në Maqedoni”.
“Mesazhi çdo herë është nga një personazh, vetëm ‘postierët’ ndonjëherë ndryshohen, ndërsa jo rrallë ‘dërgesa’ është edhe personale, ndonjëherë edhe publike”, shkruan Gruevski.

Ai më tej shton se nuk ekziston reformë ose ligj, që do të ndryshojë diçka në gjyqësinë e Maqedonisë.
“BE mund të publikojë sa të dojoë raporte progresi ose të mirëpresë ligjet e miratuara, por për sa kohë që gjyqtarët veprojnë nën detyrim dhe frikën e ekzekutivit se ata mund të ndëshkohen nëse nuk i binden, gjegjësisht derisa ekzekutivi vepron mbi një bazë mafioze, nuk do të ketë progres të vërtetë”, shkruan Gruevski.

Ndryshe, me vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë, Jankulloska duhet të vuajë katër vjet dënim me burg, pasi u dënua në rastin “Tanku”.