Grubi: Zëri dhe vullneti i tetovarëve është vendimtar për qeverinë


Artan Grubi
Vullneti i tetovarëve në rend të parë!

Të nderuar qytetarë,

Lidhur me polemikat e ngritura sot në opinion rreth dhënies së godinës së vjetër të Shkollës medicinale në Tetovë në shërbim të Agjencisë për kadastër të patundshmërive, dëshiroj të jap një sqarim objektiv të gjithë situatës dhe të sqaroj se në miratimin e këtij vendimi nga ana e Qeverisë nuk ka asnjë tendencë të qëllimshme.

Një vendim i tillë është ndërmarrë fillimisht me kërkesë të Agjencisë për kadastër në vitin 2021 gjatë kohës kur me komunën e Tetovës ka udhëhequr znj. Teuta Arifi.

Qeveria asokohe ka shqyrtuar arsyeshmërinë e kësaj kërkese për të plotësuar nevojat hapësinore të Agjencisë për kadastër që ka ruajtur dokumentacionet në hapësira joadeakute dhe ka ofruar shërbime në kushte jodinjitoze për qytetarët e Tetovës dhe ka miratuar vendimin, por me kërkesë të komunës edhe ka rikthyer hapësirat në dispozicion të shkollës.

Kërkesa gjatë këtij viti është ripërsëritur nga ana e Agjencisë për kadastër me arsyetimin se ekzistojnë hapësira të pashfrytëzuara.

Pa asnjë tendencë negative ashtu si në 2021, Qeveria ka miratuar vendimin që ato hapësira ti kalojnë në shfrytëzim të agjencisë në fjalë për t’ju shërbyer tetovarëve.

Por, duke qenë gjithmonë në shërbim të nevojave të qytetarëve, potencoj se kërkesa e prindërve dhe nxënësve për nevojën e shfrytëzimit të atyre hapësirave është absolutisht prioritare për mua dhe për qeverinë, andaj dhe pa asnjë hamendje Qeveria do të rikthejë në dispozicion të tyre godinën e vjetër të Shkollës medicinale në Tetovë që ditën e martë ashtu siç vepruam edhe para një viti.

Ne i shërbejmë qytetarëve tanë pa asnjë rezervë dhe nuk kemi mendje të robëruar e as shpirt të djallëzuar për t’ju marrë hak qytetarëve ose institucioneve, këtë e kemi dëshmuar në 21 vitet e kaluara dhe kjo nuk ka për të ndryshuar ndonjëherë.