Grubi: Vllehët janë hallkë përbërëse e shoqërisë multietnike në Maqedoni


Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi sot ka uruar komunitetin vlleh me rastin e 23 Majit, Ditës së tyre Kombëtare.
Grubi në urimin e tij ka thënë se Vllehët janë hallkë përbërëse e shoqërisë multietnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryeministri i parë gjithashtu me këtë rast ka thënë se shënimi i 23 Majit, Ditës Kombëtare të Vllehëve është një mundësi e mirë që ne të tregojmë respekt për këtë komunitet dhe për aspiratat e tyre shekullore me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të gjuhës, kulturës dhe traditave të tyre.
Sipas Grubit vetëm përmes respektit të ndërsjellë, ne do të mund të arrijmë të ngrihemi mbi veten tonë dhe do mund të lëvizim më shpejt drejt arritjes së prioriteteve strategjike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.