Grubi uron Ditën e Pavarësisë: Bashkë do të vazhdojmë rrugën e sukseseve!

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka uruar Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Grubi shkruan Marrëveshja e Ohrit hapi një kapitull të ri pas pavarësisë së vendit, ndërkaq porosit që bashkë të vazhdohet rruga e suksesit të vendit.

Në vijim shkrimi i plotë i zv/kryeministrit Grubi:

31 vite më parë, me shpalljen e pavarësisë së vendit tonë filloi një rrugëtim i gjatë sfidash të njëpasnjëshme.

Tejkaluam kohëra të vështira, gjatë viteve kishim rënie dhe ngritje, por më në fund arritëm të thyejmë barrierat e përçarjes dhe paragjykimit përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit që hapi kapitullin e bashkëjetesës paqësore dhe barazisë.

Pas kësaj mbetëm të vendosur në qëllimet tona strategjike të progresit dhe integrimit euroatlantik. Vendi ynë arriti të bëhet anëtar i plotëfuqishëm i NATO-s.

Fillimi i dekadës së katërt të shtetit tonë të pavarur na gjen me konteste të zgjidhura me fqinjët dhe me negociata të filluara të integrimit në Bashkimin Europian, një fotografi krejtësisht ndryshe, fryt i angazhimit dhe punës së përbashkët.

Tani është koha të reflektojmë mbi këto të arritura dhe të qëndrojmë të bashkuar duke avancuar procesin e integrimit me hapat e duhura konform kornizës negociuese.

Bashkë do të vazhdojmë rrugën e sukseseve! Urime Ditën e pavarësisë së vendit tonë!