Grubi: Unë ia kërkova Kurtit që t’i bëj thirrje diasporës

Lideri i Vetëvendosjes që është edhe fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti, i ka bërë sot gjatë ditës thirrje mërgatës shqiptare të Maqedonisë së Veriut që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë.

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës se ai i ka kërkuar Albin Kurtit që të bëjë një apel të tillë ashtu siç do të kërkojë të njëjtën gjë edhe nga liderët e tjerë partiakë dhe institucionalë në Kosovë.

“E përshëndes deklaratën e Albin Kurtit, liderit të Lëvizjes Vetëvendosje. Jo më larg se dje i shkrova [Albin] Kurtit me një kërkesë për t’u takuar ditën e nesërme, sepse e kisha në agjendë që të vizitoj të gjithë liderët e partive politike dhe i njoftova për arsyen e takimit që ishte pikërisht nevoja për përfshirjen e kryetarëve të partive politike në Kosovë dhe liderëve të institucioneve që të na ndihmojnë me apele drejtuar diasporës për t’u regjistruar ne procesin e regjistrimit të popullsisë. Më vjen mirë që gjatë këtij apeli të djeshëm dhe të kontakteve që kishin zyrat tona, e imja dhe e Albin Kurtit, tashmë ai vendosi që të dalë me këtë apel”.

Grubi, që gjatë ditës së nesërme do të jetë në Kosovë, ka deklaruar se pret që apele si të Albin Kurtit drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që jetojnë në diasporë të bëjnë edhe kryetarët e tjerë të partive politike dhe liderët institucionalë.
“Gjatë ditës së nesërme do të takoj edhe liderë të tjerë – Lumir Abixhiku, Vjosa Osmani, Enver Hoxhaj, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe të tjerë – në mënyrë që të kërkojmë në mënyrë shumë vëllazërore që të përfshihen në procesin e regjistrimit me apele drejtuar mërgatës shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Mërgata e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë funksionojnë bashkë dhe i bashkërendojnë aktivitetet në Europë, SHBA dhe Australi”.

“Është për t’u përshëndetur një hap i tillë nga Albin Kurti dhe presim që kështu të bëjnë edhe liderët e tjerë institucionalë dhe partiakë të Kosovës dhe shpresoj që gjatë ditës së nesërme në Kosovë do të kemi një vizitë dhe bashkëbisedim të frytshëm”.