“Për mua në 100 ditët e para të kësaj Qeverie gjëja më e rëndësishme është stabiliteti. Në kohë të vështira për vendin tonë dhe për rajonin dhe botën, qytetarët kërkojnë një Qeveri stabile, me partneritet të fortë me NATO-n, BE-në dhe SHBA-në. Një qeveri që udhëheq një koalicion progresiv dhe i përgjigjet nevojave të qytetarëve, jo një koalicion qeveritar njëpartiak që e konsideron agresionin rus në Ukrainë si legjitim dhe korrekt”, kështu deklaroi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i sistemit politik dhe marrëdhënieve ndërmjet bashkësive Artan Grubi në fjalimin e tij në forumin e sotëm “100 ditë nga mandati i Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Grubi theksoi se qytetarët kanë nevojë për qeveri të përgjegjshme dhe korrekte dhe jo për aventura politike.
“BDI, si pjesëmarrëse në këtë koalicion, beson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të mbahen në prill të vitit 2024, së bashku me zgjedhjet presidenciale. BDI e mbështet fuqishëm shumicën parlamentare dhe koalicionin qeveritar dhe ne jemi këtu për t’i realizuar këto projekte”, shprehet Grubi.
Sipas tij, qytetarët nuk kanë nevojë për aventura, kanë nevojë për një Qeveri të përgjegjshme, sociale, e cila dëgjon qytetarët dhe realizon kërkesat e tyre.