Grubi: Regjistrimi s’do të ketë pasoja për të drejtat e shqiptarëve, përkundrazi do të fuqizohemi më tepër

Zv.kryeministri i parë i RMV-së, Artan Grubi, pret që procesi i regjistrimit të popullsisë të mbyllet në kohë dhe pa probleme. Ai është i bindur se rezultatet nga ky operacion nuk do të kenë ndikim negativ ndaj të drejtave të shqiptarëve. Madje, ai thotë se regjistrimi do t’i fuqizojë shqiptarët.

“Mbrëmë kishim 1.2 milion qytetarë të regjistruar, duke përfshirë këtu edhe numrin e qytetarëve në diasporë të cilët janë regjistruar, mbi 193 mijë. Vlerësoj që është një numër i kënaqshëm dhe do të mund ta rrumbullakësojmë deri në fund të regjistrimit. Nuk ka pasur asnjë problem prej momentit kur janë tejkaluar pengesat teknike nga ana e kompanisë e cila po e mirëmban softverin dhe jam shumë i bindur që nuk do të ketë asnjë pasojë ndaj të drejtave të shqiptarëve nga rezultati i regjistrimit, përkundrazi do të fuqizohemi edhe më tepër”, tha Grubi.