Grubi: Qeveria miratoi propozim LIGJ me të cilin do të sistemohen nëpunësit administrativ

Me propozim të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi sot në seancën e 26 të qeverisë, dritë jeshile morri propozim ligji për sistemimin e nëpunësve administrativ të punësuar përmes programit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Programi К-5.

Sipas Grubit nëpunësit administrativë do të sistemohen në organet e pushtetit lokal dhe shtetëror si dhe organe tjera shtetërore të themeluara në pajtim me Kushtetutën dhe me ligj.

Gjithashtu kjo kategori e të punësuarve do të sistemohet edhe nëpër institucionet që kryejnë veprimtari nga fusha e arsimit, shkencës, shëndetësisë, kulturës, punës, mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve, sportit, si dhe në veprimtaritë tjera me interes publik të themeluara me ligj, kurse të organizuara si agjenci, fonde, institucione dhe ndërmarrje publike të themeluara nga Republika e Maqedonisë së Veriut ose nga komunat, nga qyteti i Shkupit, por edhe nga komunat e qytetit të Shkupit dhe agjencitë aksionare në pronësi shtetërore.

Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, më së voni 15 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut do t’i propozojë plan me qëllim sistemimin sa më të shpejtë të nëpunësve administrativ të cilët deri më tani kanë qëndruar në shtëpi.