Grubi: Promovimi i vlerave artistike tregues i qartë i frymës progresive të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi bashkë me delegacionin qeveritar ishte i pranishëm sot në ekspozitën e organizuar nga ana e Galerisë Nacionale të Maqedonisë së Veriut dhe Galerisë së Arteve Vizuele të Tetovës në kuadër të organizimeve për shënimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Grubi shprehu kënaqësinë e organizimit të një ngjarje të këtillë e cila sipas tij me laramaninë e stileve artistike dhe prezencën e autorëve të ndryshëm në të tregon qartë për ecurinë e mbarë artistike në profile të ndryshme, në proceset e zhvillimit dhe kultivimit të artit në vendin tonë.
Me këtë rast, ai përgëzoi drejtorët e të dy instititucioneve znj. Dita Starova Qerimi dhe z. Ilir Kurtishi, si dhe shprehu përkrahjen e tij maksimale dhe të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në drejtim të promovimit të vlerave të artit.

Avancimi i punës së insitucioneve për promovimin e vlerave artistike dhe stimulimin e kreativitetit krijues i cili po dëshmohet përmes këtyre ekspozitave sipas Grubit është edhe një dëshmi e qartë e të arriturave si rezultat i implementimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.