Grubi: “Projekte të mëdha mes dy vendeve, nga porti i thatë deri te linja hekurudhore Shkup-Durrës”

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi mori pjesë sot në prezantimin e projektit të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano. Në fjalën e tij, Grubi foli për projektet e mëdha mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si ndërtimi i autostradës Shkup-Qafë-Thanë, linjën hekurudhore Shkup-Kërçovë-Pogradec-Durrës dhe bashkimin e kontrolleve kufitare.

“Po ndërtojmë autostradë me 6 korsi nga Shkupi në Qafë-Thanë, që do zvogëlojë distancën Shkup Tiranë me 2.5 orë, Shkup-Vlorë në 3 orë. Për të patur qasje në port po planifikojmë linjën hekurudhore Shkup-Kërçovë-Pogradec-Durrës. Në janar, bashkojmë dy kontrollet tona kufitare në një të vetëm me synimin për të hequr përfundimisht kufijtë mes nesh dhe shpresojmë që këtë ta bëjmë me Kosovën gjatë vitit të ardhshëm. Po ndërtojmë linjë interkonjunktive energjetike midis nesh me dy projekte stacionin në Ohër dhe linjën e tensionit të lartë Manastir-Elbasan”, tha ai. Ai theksoi se risia e këtyre projekteve është ndërtimi i portit të thatë në qytetin e Strugës.

“Një risi që bashkë me Kryeministri Ramë në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive ishte ndërtimi i një porti të thatë në qytetin e Strugës. Një dimension i ri dhe kreativ komunikimi që padyshim do të kontribuojë në shkëmbimin tregtar mes dy vendeve dhe është pjesë e pandarë e ndërtimit të Porti të Ri të Durrësit. Erdhi dita që këtë ide ta formatizojmë sot edhe me firmosjen e marrëveshjes për realizimin e saj. Qofshin të shumta projektet e përbashkëta me vendet tona”, tha ai.