Grubi priti në takim Salome Zourabichvili, Presidente e Gjeorgjisë


Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi sot ka pritur në takim Salome Zourabichvili, presidente e Gjeorgjisë e cila po qëndron për vizitë zyrtare dy ditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Siç thuhet në një komunikatë nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit të Parë, bashkëpunimi dhe marrëdhëniet politike mes dy vendeve ishin një prej pikave që u diskutuan në takimin mes Grubit dhe Zourabichvili, duke I cilësuar kështu raportet në nivel të lartë, ndërsa vizita e presidentes gjeorgjiane në Shkup do të thellojë edhe më shumë bashkëpunimin.

Integrimi në NATO dhe procesi i integrimit në Bashkimin Europian ishte temë e diskutimit mes tyre, derisa Grubi ka theksuar se Republika e Maqedonisë së Veriut është e gatshme të ofrojë ndihmë nga përvoja e saj në rrugëtimin drejt NATO-s si dhe të ndajë eksperiencë në pjesën e reformave që kërkohet në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, rrugë kjo e cila është në vijim e sipër.
Si vend anëtarë në NATO, Grubi ka theksuar se tashmë marin pjesë në misione paqëruajtëse nëpër botë kurse buxheti në fushën e mbrojtjes këtë vit ka pasur rritje prej 1.57% nga BPV e që do të ketë rritje deri më 2% deri në vitin 2024.

Situata politike në Gjeorgji, raportet me vendet fqinje përfshirë këtu edhe Rusinë, konfliktet në Ukrainë dhe Nagorno Karabakh ishin pjesë e bisedës që presidentja Zourabichvili bëri gjatë këtij takimi me Zëvendëskryeministrin e parë Grubi, ndërsa Republika e Maqedonisë së Veriut do të ofrojë bashkëpunim në procesin e reformave që do të bëhen në Gjeorgji, përfshirë këtu në fushën e drejtësisë, gjyqësorit e prokurorisë si dhe strukturat e sigurisë.

Bashkëpunimi ekonomik mes dy vende ishte një tjetër pikë e bisedës mes Grubit dhe Zourabichvili, ndërsa u theksua se vetëm gjatë vitit të kaluar dy vendet kanë pasur eksport prej 242.962 euro dhe import prej 102.803 euro, kurse për periudhën e ardhëshme u bisedua që bashkë dy vendet të krijojnë një partneritet biznesi.

Në këtë takim është diskutuar edhe regjimi i vizave mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë, derisa dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se heqja e këtij regjimi do të ketë ndikim pozitiv në lëvizjen e lirë të qytetarëve, bashkëpunimi në fushën e kulturës, turizmit dhe ekonomisë si dhe investime të ndryshme nga të dyja palët.
Grubi dhe Zourabichvili kanë diskutuar edhe mbi procedurat që janë në vijim për emërimin e dy konsujve të nderit të Gjeorgjisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut edhe atë në Shkup dhe Shtip.