Grubi priti në takim ambasadoren greke, Philippidou

Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi sot ka pritur në takim ambasadoren e Republikës Helenike, Sophia Philippidou, të cilës i ka dëshiruar sukses në mandatin e ri. Në takim u bisedua rreth ndryshimeve kushtetuese, integrimin në Bashkimin Europian, koalicionin qeverisës, zbatimin e Marrëveshjes së Prespës si dhe situatës në rajon.

Ndryshimet kushtetuese janë vlerësuar si të domosdoshme për faktin se janë kusht për vazhdimin e rrugës europiane. Grubi vlerëson që duhet të shqyrtohen të gjitha mangësitë që ka Kushtetuta dhe në këtë proces të gjerë konsultativ të përfshihen ekspertë konstitucionalit, mediat, shoqëria civile, partitë politike dhe profesorët universitar.

Integrimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është garanci shtesë për stabilitetin dhe prosperitetin në këtë pjesë të Europës dhe Greqia vazhdon të jap përkrahjen e saj për përfundimin e procesit integrues. Funksionimi i koalicionit qeveritar ishte gjithashtu pjesë e bisedës mes Grubit dhe ambasadores Philippidou, derisa është theksuar se rruga europiane kërkon një front të përbashkët i cili duhet të përkrahet nga të gjitha forcat progresive.

Greqia është e përkushtuar fuqishëm në mbështetje të Republikës së Maqedonisë së Veriut nëpërmjet të zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Prespës. Gjatë takimit është diskutuar edhe situata në rajon, me ç’rast Grubi ka përshëndetur marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel duke theksuar nevojën imediate për njohje të ndërsjellë si zgjidhja e vetme e mundshme e kontestit.