Grubi: “Porositë e Michel i japin përkrahje ardhmërisë europiane të vendit tonë”

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi pas takimit në Qeveri me presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel është shprehur se vet vizita e tij sjell garancën e sigurisë dhe përkrahjen e 27 vendeve të BE-së për Maqedoninë e Veriut.
Postimi i plotë:

Jashtëzakonisht të rëndësishme dhe inkurajuese në seancën e sotme të Qeverisë porositë e presidentit të Këshillit të Bashkimit Europian z. Charles Michel në përkrahje të ardhmërisë europiane të vendit.

Bashkë me kryeministrin Kovaçevski dhe kolegët ministra e informuam rreth qasjes sonë në mbështetje të propozimit të Unionit dhe procesin transparent të konsultimeve që po e zhvillojmë me të gjitha palët rreth kësaj çështje.

Qytetarët e vendit nuk duhet pasur frikë e as të bien pre e konfuzionit që shkaktojnë agjenturat antiperëndimore. Vetë vizita e sotme e z. Michel sjell garancën e sigurisë dhe përkrahjes së 27 vendeve të BE-së që kanë hapur derën e tyre dhe presin hapin tonë.

Ai hap duhet të jetë vendosmërisht i orientuar kah ajo derë për të mirën e të gjithëve!