Grubi porosi BE-së: Fjalëkalimi për integrimin e Maqedonisë dhe Shqipërisë është Ukraina

Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot në Tiranë po ndjek punimet e Kongresit të Partisë Socialiste, duke qenë kështu panelist në pjesën ku është disktuuar mbi temën “Rajoni, Europa, Siguria”.

Zëri i bashkuar i shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë palca kurrizore e frymës euroamerikane të rajonit tonë, me qasje konstituive dhe thelbësore në formimin e prioriteteve strategjike të vendeve tona për rajonin dhe për përfaqësimin e rajonit në politikat e integrimit të plotë, është shprehur mes tjerave Grubi në fjalimin e tij.

Në vazhdim fjalimi integral:

Të nderuar nikoqirë,

E nderuar ministre znj. Xhaçka,

I respektuar ministër z. Peleshi,

Panelist, mysafirë,

Ju falënderoj shumë për ftesën dhe mundësinë që të bëhem pjesë e punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste këtu në Tiranë dhe ju sjell të fala vëllazërore nga Kryetari im, Ali Ahmeti, me uratat më të sinqerta për Kongres të mbarë dhe punime të suksesshme.
Gëzohem që na mblodhët në Tiranë gjithë neve, nga Shkupi, Prishtina, Presheva, Mali i Zi, rajoni dhe Europa.
Padyshim se politika e jashtme, marrëdhëniet me Europën, siguria dhe raportet e ndërsjella të vendeve të Europës juglindore, janë tema akute për të cilat me ndodhitë e fundit në Europën Lindore duhet shumëfishuar aktivitetet dhe trajtuar këto çështje më syçelë se kurdoherë.
Bashkëpunimi më i intensifikuar në mes forcave tona politike përbrenda Ballkanit Perëndimor, synim të vetëm e ka eliminimin e disonancave rreth qëllimit të pakontestueshëm dhe të rrugës ose rrugëve që do të na çojnë drejt qëllimit të përbashkët, integrimit në BE dhe NATO.

Zëri i bashkuar i shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë palca kurrizore e frymës euro-amerikane të rajonit tonë, me çasje konstituive dhe thelbësore në formimin e prioriteteve strategjike të vendeve tona për rajonin dhe për përfaqësimin e rajonit në politikat e integrimit të plotë.

Në çdo projekt të bashkëpunimit rajonal, njëri nga ne, është së paku vet i treti, e në raste edhe vet i katërti dhe rrjedhimisht asnjë vendim për tërësinë e rajonit dhe gjashtëshen e Ballkanit perëndimor nuk merret dot pa pajtueshmërinë tonë andaj dhe nuk duhet t’i druhemi iniciativave dialoguese dhe bashkëpunuese.

Është e qartë se secili nga vendet tona ka dhe veçoritë e veta, por në këtë kontekst do të kisha nënvizuar se koordinimi institucional dhe kombëtar ose këshillimet permanente si ky i sotmi janë më se të domosdoshme, para se të shtrohen qëndrimet tona para institucioneve të BE-së ose edhe subjekteve tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

Megjithatë, për ne, integrimi europian është e vetmja alternativë.