Grubi: “Po i tejkalojmë pengesat bashkë me fqinjët, për t’u ankoruar në portin e BE-së”

Në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog është mbajtur panel diskutimi me temë “Projekti europian i paqes për Ballkanin Perendmor”, ku nikoqir ka qenë Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi.

Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë, Grubi theksoi se nga viti tjetër do të bashkohen forcat me Ministrinë e Jashtme dhe nëpërmjet ribrendimit të forumit në Peace Forum Dialogue të përfshihen në një konferencë të përbashkët edhe reflektimet mbi marrëveshjen e Ohrit, dhe me shpresë që deri atëherë do të përmbyllet edhe marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bulgarinë.

“Forumi i sotëm po mbahet në rrethana vendimtare për përfundimin e rrugëtimit tonë pajtues, në ditët finale të një dialogu bilateral, të lehtësuar sërish nga dashamirët e vendit tonë”, tha mes tjerave Grubi.

Në vazhdim fjalimi i plotë:

I nderuar nikoqir i Prespa Forum Dialogue, ministër i punëve të jashtme z. Bujar Osmani,

Të nderuar ministra të punëve të Jashtme të Greqisë dhe Kroacisë, z. Dendias dhe z. Radman,

Të nderuar z. Navarro, z. Lajçak, z. Le Roy, z. Kyuchyuk dhe z. Hani

Të nderuar drejtues të institucioneve të vendit, përfaqësues të mediave,

Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

Më gëzon fakti që po rimblidhemi sot në Ohër, për të vijuar punën mbi suksesin e konferencës së parë të organizuar vitin e kaluar.

Besoj që nga viti tjetër do ti bashkojmë forcat me Ministrinë e Jashtme dhe nëpërmjet të ribrendimit të forumit në Peace Forum Dialogue të përfshijmë në një konferencë të përbashkët edhe reflektimet mbi marrëveshjen e Ohrit, dhe me shpresë që deri atëherë do ta kemi të përmbyllur edhe marrëveshjen e fqinjësisë së mirë me Bulgarinë.

Kjo do ta rrumbullaksonte storien e suksesit të quajtur Maqedoni dje, Maqedoni e Veriut sot.

Storia e suksesit zanafillën e ka tek përcaktimi përfundimtar për pajtim.

Pajtim në vend, brenda nesh, pajtim në rajon, me fqinjtë dhe me zero çështje të hapura me fqinjtë, pajtim në rajonin më të gjërë dhe pajtim me familjen ku përkasim, atë euroamerikane, euroatlantike.

Sa po vendosëm të shtrijmë dorën e pajtimit, filluam të jetësojmë vlerat e barazisë!

Nuk i pengonim më njëri tjetrit të drejtën e arsimit në gjuhën amtare, nuk na pengonte më kolegu i përkatësisë tjetër etnike në vendin e punës, nuk na pengonin emrat e shkollave në gjuhën e njëri tjetrit, nuk na pengonin gjuha dhe flamuri i njëri tjetrit.

Vitin e kaluar bashkë shënuam 20 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit si një sukses i përbashkët, i dy komuniteteve më të mëdha, i komuniteteve më të vogla dhe i komunitetit ndërkombëtar.

Këtë vit, kulturën e pajtimit, zgjidhjes së konflikteve, ndërtimit të paqës, synojmë ta shëndërojmë në shkollë për liderë të rinjë në mënyrë që ta etablojmë shembullin tonë si rast unik dhe eksportues i bashkëjetesës dhe i prosperitetit. Por, rrugëtimi jonë i pajtimit nuk përfundoi këtu.

Nënshkruam Marrëveshjen e Prespës duke bërë ndryshimin e Kushtetutës dhe i dëshmuam botës shembullin më të mirë të paqebërjes, modelin e zgjidhjes së të gjitha mosmarrëveshjeve.

Dora e pajtimit  me vendin mik Greqinë na i hapi dyert e NATO-s dhe tashmë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian kemi krijuar miqësi të qëndrueshme.

A humbëm diçka? Nga perspektiva e sotme them që absolutisht asgjë nuk kemi humbur, ja ku jemi, me miqësi të reja, në familjen e përbashkët, më të sigurt, më të fortë, më të bashkuar.

Të nderuar,
Pas dy arritjeve të mëdha, pajtimit ndëretnik në vend dhe tejkalimit të një kontesti shumëvjeçar që pak kush mendonte se mund ta zgjidhnim, me po të njejtën qasje para disa javëve zgjidhëm edhe një kontest atë të autoqefalisë së Kishës Ortodokse të vendit – Arqipeshkvisë së Ohrit.

Po e rrumbullaksojmë storien e suksesit, me ndihmën e miqve tanë në botën demokratike dhe me përkushtimin tonë.

Forumi i sotëm po mbahet në rrethana vendimtare për përfundimin e rrugëtimit tonë pajtues, në ditët finale të një dialogu bilateral, të lehtësuar sërish nga dashamirët e vendit tonë.

Në kontestin me Bullgarinë fqinje po japim gjithçka nga vetja për të përafruar qëndrimet dhe për të zhbllokuar rrugën tonë të integrimit përmes një miqësie të re.

Nuk jemi lodhur, nuk jemi të dëshpëruar, nuk do të ngrejmë dorë, përkundrazi jemi të frymëzuar që të tejkalojmë këtë pengesë dhe bashkë me fqinjët e Ballkanit Perëndimor të shohin veten të ankoruar në portin e BE-së.

Por, ky ankorim duhet të jetë dinjitoz, me respekt të plotë për përcaktimet identitare, kulturore dhe gjuhësore të bashkëqytetarëve tanë maqedonas. Ndryshe nuk bëhet.

Maqedonia e Veriut, ky rrëfim suksesi, është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë neve, forcave vendore, fqinjëve, rajonit dhe e Bashkimit Europian dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për të qenë suksesi i plotë, hapin e fundit duhet ta bëjmë bashkarisht, me dinjitet.

Vendi jonë është udhëkryq i Ballkanit Perendimor, tre nga drejtimet e këtij udhëkryqi u ndërtuan dhe janë të kalueshme me drejtime të duhura, edhe ai i Marrëveshjes së Ohrit, edhe ai i Prespës, edhe ai i autoqefalisë, ka mbetur për t’u përfunduar me sukses vetëm edhe drejtimi i katërt i fqinjësisë së mirë që do na shpie në shtëpi, në Bruksel.

Duke uruar që herën tjetër të takohemi me udhëkryq të përfunduar dhe në festë familjare, ju falenderoj për vëmendjen tuaj.