Grubi përgëzoi studentët e Universitetit të Tetovës në ceremoninë e diplomimit

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi sot morri pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve në Universitetin e Tetovës.
Në fjalimin e tij zëvendëskryeministri i parë Grubi përgëzoi stafin akademik të universitetit për përkushtimin e treguar në përgatitjen e kuadrove cilësore dhe njëherësh uroi studentët për suksesin e arritur duke thënë mes tjerash se Universiteti i Tetovës është tempull i diturisë dhe i historisë më të re kombëtare si dhe i përpjekjeve për barazi.

“Po krijojmë masa dhe politika për të rinjtë dhe të ardhmen e tyre. Sot, 20 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, me krenari konstatojmë që një ëndërr, një iniciativë e guximshme por njëkohësisht shumë e domosdoshme është shndëruar në tempull të qëndrueshëm arsimor.
Arsimi ndërton njerëz të lirë, e përforcon ekonominë dhe shoqërinë demokratike. Është shumë e rëndësishme kur arsimi është kualitativ dhe i çasshëm për të gjithë.

Arsimi i mirëfillt ndërton personalitete të cilët do të kontribuojnë në shoqëri, do ta kultivojnë tolerancën dhe dallimet por edhe do jenë të gatshëm për tregun e punës.
Një nga qëllimet tona kryesore është që të ndërtojmë kuadro profesionale të cilat do të jenë të suksesshme në vend dhe jashtë që të kontribuojnë në përmirësimin e shoqërisë dhe ekonomisë në vend, pse jo edhe në rajon”, tha mes tjerash Grubi.