Grubi për Ali Ahmetin president: E dini qëndrimin e tij, është misionar, jo funksionar


Anëtarët dhe votuesit e BDI-së e duam Ali Ahmetin për president të shtetit, por Ali Ahmeti thotë se është misionar dhe jo funksionar. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri Artan Grubi në një intervistë për “360 Gradë”. Sipas tij, BDI, ende nuk ka vendosur se kush do të jetë kandidat për president të shtetit pasi që çështja nuk është diskutuar në organet partiake, transmeton Portalb.mk.

“Nuk ka pasur mbledhje për caktimin e kandidatit për president të shtetit. Bindja e (Ahmetit) shkon rëndë. E dini qëndrimin e tij: “Unë jam misionar, nuk jam funksionar”. Nuk jam në parti e as politikë që të fitoj funksion, por që misioni të jetë i suksesshëm. Dhe para atij argumenti të gjithë patjetër duhet që të tërhiqemi. Por, nëse pyesni cilindo anëtar të BDI-së, cilindo votues të BDI-së, gjithsesi se do të përcaktohej për Ali Ahmetin.

Grubi mohon se ideja që Ali Ahmeti të jetë president është personalisht e atij. Në BDI, siç thotë, paraprakisht është përfolur që Ahmeti të propozohet si kryeministri i parë shqiptar, por ai pasi që ka kuptuar për iniciativën, i ka ndërprerë me propozimin e tij që Talat Xhaferi të zgjedhet kryeministër i Qeverisë teknike.

Ai gjithashtu tha se në mënyrë indirekte BDI ka diskutuar me Arben Taravarin e ASH-së dhe opozitën shqiptare që të nxjerrin kandidat të përbashkët për president, i cili do të ishte mbipartiak, megjithatë e njëjta ka dështuar pasi që opozita ka nxjerrë kandidat politik për president.

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski sot deklaroi se ata do të kenë kandidat për president, ndër BDI ka opsion të mbështesë kandidatin e LSDM-së ose të kandidojë të vetin.

“BDI-ja ka opsionin që ose të mbështesë kandidatin tonë presidencial ose të kandidojë kandidatin e vet presidencial, por ky është vendim i partisë së tyre. Nuk është vendimi ynë”, tha Kovaçevski.

Deri më tani, kandidatura për president kanë shpallur Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët me përkrahje të Lidhjes Evropiane për Ndryshim (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike) si dhe E Majta (Levica) ka propozuar për kandidate Biljana Vankovskën e cila njihet për gjuhë të urrejtjes.

Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.