Grubi – Opozita kërkon zgjedhje por lutet të mos ketë

Pavarësisht thirrjeve të partive opozitare që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Zv/Kryeministri I parë Artan Grubi mbrëmë ishte i ftuar në Klan Debat ku vlerësoi se për momentin, për shkak të krizës energjetike dhe përballjes me pandeminë, vendit nuk i duhen zgjedhje. Zv/Kryeministri Grubi, në Klan Debat, tha se edhe pse partitë opozitare kërkojnë që të ketë zgjedhje por në realitet luten që të mos jetë ashtu.

“Nuk dua të jem arrogant por jam i bindur se partitë opozitare shqiptare e kanë gojën plot gjatë gjithë ditës por luten që zgjedhje të mos ketë. BDI-ja e vetme është dyfish para të gjithë partive politike bashkë. Asnjëri nuk ka bartur përgjegjësi, edhe pse kanë përgjysmuar votat e tyre, duke iu ofruar mposhtjen e BDI-së dhe Ali Ahmetit si projekt i vetëm. Ata, flasin për zgjedhje por luten të mos ketë zgjedhje”

Zv/Kryeministri Grubi u prononcua edhe për dinamikën e re të marrëdhënieve Shkup-Sofje, sidomos pas takimeve në Shkup dhe mbledhjes së përbashkët të Qeverive në Sofje. Ai u shpreh optimist se kontesti me palën bullgare do të ketë zgjidhje. Lidhur me kërkesën e Bullgarisë që pakica bullgare të përfshihet në kushtetutën e vendit Grubi tha se për BDI-në një gjë e tillë nuk paraqet problem.

“Tash ka qeveri politike dhe jemi duke biseduar. Edhe më i kënaqur jam kur e dëgjoj edhe qëndrimin e opozitës bullgare për zhbllokim të proceseve dhe fillimin e negociatave me BE-në shpresoj që këtë ta dëgjoj edhe nga opozita shqiptare pse jo edhe maqedonase. Në asnjë moment nuk u diskutua për çështje identitare, etnike, po as për gjuhën. Asgjë që ka të bëjë me identitetin nuk ishte e kontestueshme”

Duke komentuar situatën në gjyqësor, sidomos pas rasteve të fundit, Zv/Kryeministri i Parë, Artan Grubi, tha se BDI-ja do të vazhdojë të kërkojë vetting në gjyqësor duke bërë të ditur se kanë kërkuar superekspertizë për rastin “Alfa” me qëllim që të zbardhet e vërteta për rastin që ka ngjallur shumë dyshime në opinion./KlanMacedonia/