Grubi – Mecacci: “Ndryshimi i Kodit zgjedhor kërkon konsensus të të gjitha partive politike”

Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi ka pritur sot në takim z. Matteo Mecacci, drejtor i Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR).

Bashkëpunimi ndërmjet ODIHR dhe institucioneve në vend është në nivel të lartë por duhet të vazhdoj njejtë edhe në të ardhmen, kështu është konstatuar në takimin mes Grubit dhe Mecaccit.
Të dy bashkëbiseduesit kanë rikonfirmuar rëndësinë e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut përmes implementimt të plotë të Marrëveshjes së Ohrit si garancë për integrimin e plotë në shoqëri të të gjitha komuniteteve në vend.

Në kuadër të këtij takimi është diskutuar edhe mbi Kodin zgjedhor dhe rëndësinë e hapjes së debatit derisa Qeveria në mendimin e fundit të dhënë për këtë propozim ligjin për njësitë zgjedhore ka konstatuar se procesi për miratimin e Kodit zgjedhor imponon në mënyrë të pashmangshme nevojën e konsensusit të të gjitha partive politike dhe për këtë nevojitet debat më i gjerë, grup punues interdisiplinar me të gjitha partitë.

Procesi i Regjistrimit gjithashtu ishte pjesë e bisedës mes Grubit dhe Mecaccit, rezultatetet e të cilit do të publikohen sot dhe do të japin një pasqyrë të re mbi numrin e popullësisë dhe gjithë komuniteteve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në këtë takim është diskutuar edhe mbi Kontestin me Bullgarinë, sfidat që kemi në rrugën e integrimit europian, grupet e punës që tashmë funksionojnë në harmonizimin e të gjitha detajeve për një marrëveshje që do i jepte dritë jeshile vendit për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve me BE dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.