Grubi: Mbledhja e përbashkët me Kosovën, historike

Zëvendëskryeministri i parë Grubi theks të veçantë i ka kushtuar edhe mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Kosovës, duke thënë se pas 13 viteve pavarësi është mbajtur kjo mbledhje e cila mund të quhet historike.

“Nënshkruam 11 marrëveshje, dakorduam shumë të tjera të cilat do duhet t’i harmonizojmë deri në mbledhjen tjetër që do të mbahet në Prishtinë, datë nuk kemi përcaktuar ende. Nga këto 11 marrëveshje 4 janë në sferën e ekonomisë, 1 në zhvillimin rajonal dhe tjetër me rëndësi është rehabilitimi i kufirit mes dy vendeve tona, dhe lidhja mes Prizrenit e Tetovës. Kemi miratuar fizibilitetin dhe po shkojmë drejt projektit ideor dhe javën e ardhshme do të vijë ministri Aliu nga Republika e Kosovës për të vijuar diskutimet rreth realizimit të këtij projekti jetik, për ekonomitë tona dhe për ndërlidhjen mes dy vendeve tona.

Mund të them se është një mbledhje historike për arsye se në 13 vite të pavarësisë së Republikës së Kosovës kjo është hera e parë që realizohet një mbledhje mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë. Unë isha drejtues dhe organizator i kësaj mbledhjeje së bashku me zv.kryeministren e Kosovës zonjën Gërvalla. Jam shumë krenar që ia arritëm ta realizojmë dhe shpresoj që së shpejti ta bëjmë edhe me republikën e Shqipërisë dhe po ashtu të nënshkruam marrëveshje dhe t’i realizojmë ato.

Për mua është jetike që kufiri mes Kosovës dhe Maqedonisë të jetë inegzistent, ta bëjmë në një formë siç e keni ju me Kosovën që të lehtësojmë qarkullimin e njerëzve. Për ne e rëndësishme është edhe degëzimi i gazifikimit nga Maqedonia për në Kosovë bashkë edhe për ndërtimin e qendrës së përbashkët turistike për turizëm dimëror mes Kodrës së Diellit dhe Brezovicës në Kosovë. Edhe për këtë kishim dakordësimin mes dy palëve. Kështu që kishim shumë marrëveshje ambicioze dhe jemi të përkushtuar që t’i realizojmë ato”, ka theksuar kështu Grubi.