Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka bërë edhe njëherë thirrje për transparencë totale të institucioneve dhe organeve të shtetit ndaj qytetarëve. Ai me rastin e 9 dhjetori Ditës ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit ka ritheksuar nevojën e miratimit të ligjit për Veting për politikanët, gjykatësit dhe prokurorët. Sipas tij, vetëm një ligj i tillë është garancë për rikthimin e besimit të qytetarëve në insitucionet e vendit.
“Në Ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit vlerësoj se Ligji për Veting të politikanëve, gjykatësve dhe prokurorëve të dikurshëm, të tanishëm dhe të ardhshëm, është mënyra më e mirë për të rikthyer besimin e qytetarit në institucionet dhe proceset. Ligji për veting parasheh themelimin të një komisioni parlamentar të pavarur për të kontrolluar integritetin dhe kredibilitetin e të gjithë bartësve të institucioneve para se të zgjidhen ose emërohen”, nënvizoi zëvendëskryeministri i parë Grubi.