Grubi: I bindur për rezultate optimiste nga vizita në Sofje

Në kuadër të vizitës zyrtare në Sofje të Republikës së Bullgarisë dhe me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dypalëshe mes dy vendeve, Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi i shoqëruar nga ministrja e Kulturës znj. Bisera Kostadinovska Stojçevska dhe ministri i Arsimit dhe shkencës z. Jeton Shaqiri, ka kryesuar grupin e punës në sferën e kulturës, arsimit dhe shkencës, turizmit dhe rinisë e sportit.

Grupi i katërt i punës në fokus ka kulturën, arsimin dhe shkencën, turizmin, si dhe të rinjtë dhe sportin, vendosi si detyrë të ndërmerren hapa nga të dyja planet për përpilimin e programit gjithëpërfshirës për bashkëpunim në këto fusha.

Pas takimit, zëvendëskryeministri i parë Grubi është shprehur shumë optimist për atmosferën positive dhe arritjen e shumë projekteve të përbashkëta mes dy vendeve.

“Atmosferë shumë pozitive dhe mikëpritje shumë e ngrohtë nga kolegët tanë bullgar dhe tashmë sapo e përfunduam seancën e parë të komisionit për Kulturë, arsim e shkencë, rini dhe sport dhe turizëm dhe jam jashtëzakonisht optimist për arritjen e shumë projekteve të përbashkëta të cilët do të realizojmë në muajt para nesh, nënshkrimin e shumë memorandumeve bashkëpunuese midis dy paleve dhe vlerësoj që kjo seancë e komisionit por edhe e seanca plenare që do të pason do të jetë e suksesshme dhe jam i bindur për rezultate shumë optimiste nga gjithë kjo vizitë e jona në Sofje”, theksoi kështu Grubi.

Mbledhja mes dy qeverive në Sofje është një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjeve me interes të përbashkët që do të sjellin përfitime për popujt tanë dhe të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Europian.