Grubi: Gostivari kërkon dhe meriton ndryshim

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive Artan Grubi sot ishte i pranishëm në Gostivar ku bashkë me ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, zëvendësministrin e Mbrojtjes Bashkim Hasani, deputetet e zonës nga radhët e BDI-së, nënkryetari i partisë Nevzat Bejta morrën pjesë në promovimin e investimit të kompanisë Almero e cila në kulmin e pandemisë pritet që të hap 200 vende të punës.

“Pata rastin të vizitoj kompaninë Almero e cila ka marrë iniciativë që në kohë Pandemie të bëjë një investim kaq të madh, me afërsisht tre mijë metra katror hapësirë ku do të prodhohen dyshekë, investim ky në vlerë prej gati 5 milion dhe kjo flet më së miri për përkrahjen të cilën edhe ne si Qeveri dhe të gjithë të përfshirët në këtë proces po i japim ndërmarësisë për të realizuar investimet e tyre me të cilat do të hapin vende të reja të punës”, ka deklaruar Grubi.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi mes tjerave ka thënë se Gostivari meriton ndryshimin si asnjë komunë tjetër për arsye të keq menaxhimit në këto katër vitet e fundit.“I shohim si të përditshme kërkesat e qytetarëve të Gostivarit për të bërë ndryshimin e duhur dhe ajo është rruga e prosperitetit, rruga e menaxhimit të komunës nga një njeri i duhur, nga një subjekt i duhur dhe dikush që do t’i përkushtohet 100% Gostivarit sepse këtë e meriton Gostivari dhe banorët e tij. Gjitha investimet që i premtoi dhe i ka realizuar ministria e Ekonomisë janë bërë me përkrahjen e pushtetit qendror dhe aspak me përkrahjen e pushtetit lokal, imagjinoni kapacitetet të cilat kishim pasur mundësi që t’i realizojmë në qoftë se kishim bashkërenduar aktivitetet e pushtetit qendror dhe atij lokal” ka thënë Grubi.

Ai përmendi edhe projektin kapital Korridorin 8 që është duke u përgatitur dhe informoi se tashmë është bërë gati versioni i parë i draft ligjit. Sipas Grubit kjo rrugë do të realizohet në kapacitet të plotë të autostradës që lidh Gostivarin-Kërçovën-Ohrin dhe Strugën deri në Qafë Thanë, si projekt që do të ndihmojë shumë zhvillimin e Gostivarit dhe jo vetëm.