Grubi: “Gjuha shqipe në Maqedoni është realitet” (VIDEO)

Zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Artan Grubi ka thënë se gjuha shqipe zbatohet në të gjitha institucionet e vendit, duke filluar nga Presidenca, Qeveria e Kuvendi. Më tej ai potencoi se gjuha shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut është realitet nga i cili nuk ka humbur askush.

“E shihni që gjuha shqipe është gjuhë zyrtarë në Presidencë edhe në Qeveri, edhe në Kuvend, edhe në të gjitha komunat në Veri-Perendimin e vendit dhe përdoret nga të gjitha institucionet e shtetit përfshirë tashmë edhe Gjykatat edhe Prokurorinë. Ne si politikbërës ndërtojmë politikat, zbatimin e bën Agjencia për Zbatimin e Gjuhës dhe Inspektorati për përdorimin e gjuhës shqipe. Inspektorati në përputhje me ligjet aktuale është në rindërtim e sipër për arsye se për të promovuar një inspector të vetëm duhet trajnime 12 mujore në pajtim me ligjin. Vlerësoj që brenda 2 muajve të ardhshëm, inspektorët e parë të Inspektoratit të gjuhëve do të pajisen me liçenca dhe do të fillojnë të veprojnë në terren. Megjithatë, gjuha shqipe është realitet, ligji për zbatimin e gjuhës shqipe është i miratuar dhe tashmë u pa se askush nuk humbi nga përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, përkundrazi fitoi shumë më tepër kohezioni shoqëror”, tha Grubi.