Grubi – Gërvalla: Rajoni është më i sigurtë si pjesë e NATO dhe BE


Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi ka pritur sot në takim delegacionin e kryesuar nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës dhe ministre për punë të jashtme dhe diasporë, Donika Gërvalla.

Përmes një komunikate për media thuhet se në fokus të bisedës mes bashkëbiseduesve ishte thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes dy vendeve, me theks të veçantë mbi zbatimin e 11 Marrëveshjeve të nënshkruara për bashkëpunim në seancën e parë të përbashkët qeveritare të mbajtur në Shkup në shtator të vitit të kaluar.

Në këtë drejtim, u dakordua edhe formimi i ekipit të përbashkët për ndjekjen e zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Grubi dhe Gërvalla gjithashtu diskutuan edhe për organizimin e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive në Prishtinë në fund të muajit maj, si vazhdimësi e takimeve qeveritare që filluan në Shkup.

Grubi në takim theksoi se Republikën e Kosovës dëshirojmë ta shohim si pjesëmarrëse në çdo forum rajonal dhe jo vetëm.

Rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, sfidat dhe kontesti me Bullgarinë gjithashtu ishin temë e bisedës në këtë takim, derisa Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë z. Grubi informoj znj. Gërvalla mbi ecurinë e dialogut me Sofjen zyrtare dhe përparimin në këtë drejtim, si një sinjal i mirë drejt zgjidhjes së kontestit dhe marrjes së dritës jeshile për fillimin e bisedimeve me BE-në dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Grubi dhe Gërvalla bashkarisht dënuan agresionin rus ndaj Ukrainës dhe shprehën solidaritet dhe bashkërenditje të plotë me politikat e sigurisë dhe të jashtme të NATO dhe BE.