Grubi: E gjithë Qeveria e mbështet Teutën, sepse ajo i ka hije Tetovës

Sot, Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi i shoqëruar nga ministrat Naser Nuredini, Fatmir Besimi, Kreshnik Bekteshi, zëvendësministrat Ilir Hasani e Bekim Rexhepi kanë vizituar komunën e Tetovës ku janë pritur nga kryetarja e komunës znj. Teuta Arifi.
Grubi bashkë me kolegët ministra kanë parë nga afër vazhdimin e punimeve që po bëhen tek bulevardi “Bllagoja Toska”, si një projekt i rëndësishëm për banorët e Tetovës me rrethinë, i cili financohet nga mjetet e ndara nga Programi TAV për komunën e Tetovës.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që jam sot në Tetovë dhe të uroj tetovarët për nisjen e këtij projekti kaq të rëndësishëm për të cilin insistonte çdo ditë kryetarja Teuta Arifi për ta realizuar, dhe me mbështetjen e Qeverisë në bashkëpunim me komunën tashmë po shohim nismën e punimeve. Prezenca jonë e madhe qeveritare sot këtu, ka për qëllim për të njoftuar jo vetëm tetovarët po të gjithë banorët e këtij rajoni se Qeveria përkujdeset në vazhdimësi për çdo vendbanim tonin dhe i qëndron prapa të gjitha projekteve të kryetarëve të komunave tona”, është shprehur kështu Zëvendëskryeministri i parë, Grubi.
Më tej, Grubi ka theksuar se e gjithë mbështetja qeveritare do të jetë në realizimin e projekteve që janë nisur në komunën e Tetovës por duke mos u ndalur me kaq.

“Njëkohësisht ashtu siç e thash dje në Shkup dua të potencoj edhe këtu sot, unë dhe gjithë kolegët e mi ministra dhe funksionarë të tjerë nga të gjithë eshalonet qëndrojmë prapa Teuta Arifit dhe komunës së Tetovës drejtë realizimit të të gjitha projekteve të parapara në programin e znj. Arifi për arsye se pa asnjë dyshim është një zonjë e hekurt e cila po i prinë Tetovës në ndryshimin që i ndodh në historinë e vet në këto 8 vitet e kaluara, por nuk dua të ndalem këtu por të vazhdojmë më tej, në këtë synim e ka mbështetjen apsolute të të gjithë neve pa asnjë hezitim dhe dëshmia më e madhe është vazhdimi i këtij projekti dhe nga sot do të na shihni më shpesh në Tetovë sepse Tetova do të shndërohet në një fushë ndërtimi në të gjitha anët në drejtim të realizimit të projekteve. Një zonjë si Teuta po vihet në ballë në betejën për tetovarët me Covid-in duke hapur qendra të reja të vaksnimit, duke siguruar vaksina, duke luftuar për nxënësit në shkolla dhe kjo është ajo që i duhet Tetovës. Tetovës i duhet Teuta Arifi sepse i ka hije Tetovës”, ka theksuar më tej Grubi gjatë vizitës në Tetovë.