Grubi: “BDI është për zgjedhje të parakohshme parlamentare në prill 2024”

Për mua në 100 ditët e para të kësaj Qeverie gjëja më e rëndësishme është stabiliteti. Në kohë të vështira për vendin tonë dhe për rajonin dhe botën, qytetarët kërkojnë një Qeveri stabile, me partneritet të fortë me NATO-n, BE-në dhe SHBA-në. Një qeveri që udhëheq një koalicion progresiv dhe i përgjigjet nevojave të qytetarëve, jo një koalicion qeveritar njëpartiak që e konsideron agresionin rus në Ukrainë si legjitim dhe korrekt, tha zëvendëskryeministri Artan Grubi.

BDI, si pjesëmarrëse në këtë koalicion, siç bën të ditur Grubi, beson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të mbahen në prill të vitit 2024, së bashku me zgjedhjet presidenciale.

“BDI si pjesë e këtij koalicioni e mbështet fuqishëm shumicën parlamentare dhe koalicionin qeverisës dhe ne jemi këtu për të realizuar këto projekte. Qytetarët nuk kanë nevojë për aventura, kanë nevojë për një Qeveri të përgjegjshme, sociale, e cila dëgjon qytetarët dhe realizon kërkesat e tyre”, shtoi Grubi.