“Gruan e torturova dhe e mbyta, vëllai nuk vuajti”, motive xhelozie shkaku i vrasjes së dyfishtë në Gramsh

Xhevit Sinani ka pohuar se si fillim ka vrarë vëllain me sëpatë në oborrin e banesës dhe më pas ka goditur me sëpatë gruan

Detaje të reja mësohen nga vrasja horror në Gramsh. Korrespondenti i Klan News, Fatos Salliu raporton se burime policore informojnë se në dëshminë e tij, Xhevit Sinani ka pohuar se si fillim ka vrarë vëllain me sëpatë në oborrin e banesës dhe më pas ka shkuar brenda dhe ka dhunuar të shoqen, të cilët dyshohet se e ka mbytur dhe më pas goditur me sëpatë.

Ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur për motive xhelozie, pasi i moshuari mendonte se vëllai, Shaqiri i ngacmonte gruan, Zeqinenë, 74 vjeçe.

“Gruan e torturova dhe e mbyta. Vuajti shumë, e godita dhe me sëpatë. Vëllai nuk vuajti”, mësohet të jetë shprehur në dëshminë e tij makabre 80-vjeçari.

Ai ka dhënë dëshmi kontradiktore dhe të ndryshme, pasi rezulton se vuan dhe nga probleme të shëndetit mendor. Në dëshminë e parë, ai tha se nuk mbante mend se çfarë kishte ndodhur.

Fakti që ai vuante nga shëndeti mendor dhe merrte mjekime konfirmohet edhe nga infermierja e fshatit dhe nga Policia e Elbasanit.

Pas vrasjes, ai u ka treguar të afërmve që kanë njoftuar policinë. Policia e ka vendosur në pranga pa bërë rezistencë.

Xhevit Sinani jetonte me bashkëshorten, ndërsa Shaqiri i vetëm pasi gruaja i kishte ndërruar jetë.