Gruaja shqiptare së pari vritet nga burri më pas, ajo ‘rivritet’ nga media dhe rrjetet sociale…

TË VRASIN E TË RIVRASIN

Kur dhunohet dhe vritet një grua
Dëgjoj ‘burra’ që krekosen
Në një arrogancë të paskrupullt tek fundosen

Lexoj arsye nga më banalet
“Ka diçka që e vrau”- thotë njëri
“E ka merituar, kudra”- thotë tjetri
“Nëse tradhtoni, do të hani plumbin”- thotë i treti

Ashtu lehtë dhe hapur
Një morri komente përbuzëse
Pa fije turpi, faji ngatërrohet
Viktima dënohet e vrasësi përurohet
O Zot, çfarë mediokriteti mendor
O Zot, çfarë vullgariteti gjuhësor

Një “grup burrash” që arsyetojnë vrasjen
Një “grup burrash” që përkrahin dhunën
Një “grup burrash “ që paragjykojnë pa mbarim
Tmerr! Llomotitje me një logjik të cunguar
Të mangët! Nga arsyeja e shëndosh të privuar

Nuk ka arsye që legjitimon vrasjen – kuptojeni
Nuk ka argument që mbron vrasësin – harrojeni
Nuk ka një të dytë që zëvendëson nënën – mbroheni
Nuk ka falje për ata që lënë fëmijën jetim – strehojeni

Suzana Ejupi
27.02.2020