Gruaja që braktisi shtëpinë e burrit shkaku i dhunës

Bukuria (emri dhe mbiemri të njohur për redaksinë) është viktimë e dhunës në familje. Bashkëshorti i saj e ka rrahur vazhdimisht, atë dhe tre fëmijët që i kishin së bashku.

Por, Bukuria bashkë me ta, tash e disa muaj po qëndron në njërën nga shtëpitë e sigurta në Kosovë. Ka arritur të ikë nga bashkëshorti i saj, i cili ka ushtruar dhunë sistematike ndaj saj dhe tre fëmijëve të tyre.

Ndonëse më shumë kohë ka kaluar te familja e saj, duke i ikur dhunës, megjithatë kushtet e vështira ekonomike e kanë shtyrë atë që të kërkojë ndihmë në njërën nga këto shtëpi të sigurta.

“Ka ushtruar dhunë vazhdimisht mbi mua. Më së shumti më ka rrahur me rrip. Edhe fëmijët i rrihte shumë. Ndonjëherë dilte nga shtëpia dhe nuk kthehej me ditë të tëra, pasi e donte jetën e natës dhe na linte pa ushqim në shtëpi. Unë detyrimisht shkoja te familja ime, për shkak se nuk punoj dhe nuk kisha para për të blerë ushqim. I kam fëmijët e vegjël dhe kishin nevojë si për gjëra ushqimore, po ashtu edhe për shumë gjëra të tjera”, tregon ajo.

Ajo thotë se vajzën e vogël e ka lindur në shtëpi, me ndihmën e një familjareje, pasi bashkëshorti nuk e ka lejuar të shkonte në spital që ta kryejë lindjen nën përkujdesje profesionale.

“Ka ardhur kunata ime në shtëpi dhe më ka asistuar ta lindi vajzën, të cilën tash e kam 8 muajshe. Nuk më ka lejuar të shkoj në spital të lindi, vetëm për t’më maltretuar sa më shumë që mundej”, thekson ajo.

Bukuria thotë se e kishte njoftuar disa herë policinë për dhunën që po ushtrohej ndaj saj nga burri, duke treguar po ashtu, se ai arrestohej, por zakonisht lirohej pas 48 orësh.

Andaj, siç thotë ajo, duke e parë mosefikasitetin e policisë, ka vendosur të strehohet në njërën nga shtëpitë e sigurta.

Sakibe Doli, konsulente e strehimores “Shtëpia e sigurt” në Gjakovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i grave që kërkojnë strehim nëpër shtëpitë e sigurta në gjithë Kosovën, është 10 për qind më i madh krahasuar me vitin e kaluar. Sipas saj, arsyeja pse kjo po ndodh, mund të ndërlidhet me frikën që kanë për jetën e tyre gratë që përjetojnë dhunë.

“Këtë vit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është rritur për 10 për qind numri i grave në strehimore. Shkaku ndërlidhet me frikën nga rastet që kanë ndodhur pas vrasjeve të grave (me probleme të tilla). Sidomos rasti i fundit në Gjakovë (kur burri kishte vrarë gruan dhe vajzën). Andaj edhe kanë marrë guximin të raportojnë për dhunën dhe kanë zgjedhur strehimoret për të qenë më të sigurta, karshi familjes së tyre”, bën të ditur Doli.

Në Kosovë janë gjithsej dhjetë strehimore joqeveritare dhe një e udhëhequr nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku në vit strehohen rreth 100 gra. Aty, kryesisht, strehohen viktima të dhunës në familje dhe të trafikimit.

Por, buxheti për kujdesin ndaj këtyre viktimave ndër vite mbetet i mangët. Viktimat e dhunës seksuale, ato të dhunës familjare apo të trafikimit, për mungesë buxheti, nuk po gjejnë trajtim për riintegrim në shoqëri.

Për nëntë muajt e këtij viti, aq sa edhe kanë të dhëna autoritetet e rendit, janë raportuar më shumë se 1,130 raste të dhunës në familje, në të cilat pjesa më e madhe e viktimave janë femra.

Kurse, gjatë dhjetë vjetëve të fundit në Kosovë kanë ndodhur 34 raste të vrasjeve, ku viktima kanë qenë gratë.

Mungesa e mbrojtjes institucionale për viktimat e dhunës në familje, ndër vite ka bërë që gratë t’u nënshtrohen martesave abuzive, për shkak se në shumicën e rasteve gratë pas shkurorëzimeve, nuk kanë të drejtë në pronë. /rel