Gruaja i lyen flokët pa e pyetur, shqiptari i merr fëmijët dhe e kthen te prindërit: Nuk i ka mësuar ende zakonet tona

Një burri i jepet e drejta të të dhunojë në rast se ndodh që të lyesh flokët e të ndryshosh ngjyrën e tyre pa i kërkuar mendim dhe pa u këshilluar me të. Madje ky “gabim” është aq i rëndë sa ai mund të të përzërë nga shtëpia, të të kthejë tek prindërit dhe të të urdhërojë “reflekto”. Këto janë të drejtat që B.I nga Kamza i ka përsëritur duke shpjeguar se kulmi i debateve me bashkëshorten u shënua mbasi ajo ndryshoi ngjyrën e flokëve. Të paktën ky është justifikimi i tij pranë policisë numër pesë e cila duke qenë se mori denoncimin e 40 vjeçares, mbajti shënim edhe alibinë e 42 vjeçarit nga Kukësi.

Por policia i bën me dije Gazetasi.al se për shkak të mungesës së shenjave fizike në trupin e nënës së dy fëmijëve, i shoqi nuk u arrestua, por edhe atij ju dha një shans te reflektojë. Çështja ju tregua Gazetasi.al nga policia që do ta referojë kallëzimin për dhunë në familje , ndërkohë që shumë nga të dhënat përputhen dhe ndaj A. I ka marrë urdhër të menjëhershëm mbrojtje. Çifti ka 14 vjet martuar thotë policia. “Sherret nisën mbasi për shkaqe ekonomike kërkova të filloj edhe unë punë, ndaj nisa në një fabrikë”. Bashkëshorti nuk ka qenë dakord, por më pas ai i ka kërkuar llogari: “Sa e ke rrogën?”

“Gruaja nuk më tregonte sa para merrte, unë hetova dhe e zbulova. Më pas pashë që ajo sillte në shtëpi 10 mijë ( të vjetra) lekë më pak, dhe e pyeta ku i harxhonte paratë” – thotë B.I. Por një version tjetër ka e shoqja. “Ata si shtëpi kanë rregulla të tilla, kërkonin t’i sillja te gjitha në shtëpi. As 10 mijë lekë s’duhet të harxhoja” ankohet nëna e fëmijëve të mitur e cila përmend në denoncim se hiqte 10 mijë lekë nga rroga përpara se t’ja dorëzonte vjehrrës mbasi donte tu blinte fëmijëve diçka ndryshe bukës që hanin me pjesëtarët e familjes. E reja kujton se në një nga këto ditë, ajo po kuptonte se ishte kthyer në një shërbëtore dhe çdo gjë qe bënte duhet ta tregonte në shtëpi.

“E kam falur shumë herë, më ka nxjerrë jashtë, kam ndenjur jashtë shtëpisë derisa është qetësuar e mandej ka hapur derën e më ka lënë të hyj” ankohet ajo në polici

Madje në një moment gruaja kujton: “E kam parë duke pastruar pistoletën dhe e pyeta ku e gjete. U përgjigj e kishte blerë për 100 mijë lekë. E fshehu në bodrum. Dhe kur i tregova vjehrrës ajo reagoi keq dhe ma mbylli gojën duke më thënë: të kane bërë sytë”. Policia i thotë Gazetasi.al se mbasi ka kontrolluar shtëpinë dhe nuk gjeti asnjë armë ka pyetur gjerë e gjatë burrin e shtëpisë.

“Ajo leu flokët pa më pyetur, por nga anët tona gruaja nuk vepron pa pyetur.

Ime shoqe nuk i mësoi zakonet tona, ne jemi familje tradicionale dhe s’mund të veprojë si t’i shkrepë” – dëshmon B.I. Sipas tij ai e qortoi, mbasi e ëma nuk mundi ta mësojë nusen. “Nuk tregonte rrogën, paratë i mungonin, nuk është se kam qenë dakord të dalë nga shtëpia mbasi kemi fëmijë të vegjël dhe prapë bëri si i deshi koka. Ndaj e ktheva tek prindërit dhe fëmijët i mbajta, që ata ta mësonin e të reflektonte”. Policia i thotë Gazetasi.al se çifti është martuar me shkuesi dhe secili nga krushqit është distancuar nga grindja e tyre.