Grupi më i prekur i popullsisë me simptoma të gripit janë fëmijët, ndërsa prindërit e kanë për obligim të konsultohen te mjeku amë i tyre, të cilët do duhet t’ju shpjegojnë simptomat dhe mënyrat e trajtimit dhe t’ju japin këshilla për parandalimin dhe mbrojtjen nga përhapja e gripit.
Situata me pandeminë, por edhe periudha me gripit sezonal ka bërë që mjekësia në përgjithësi të ballafaqohet dyfish me kapacitetet e saj. Mjekët do duhet të ekzaminojnë saktë pacientët se mos vallë ata kanë Kovid-19 ose gripin sezonal, gjë e cila në disa aspekte ka ndërlikime dhe simptoma deri diku të ngjashme. Grupi më i prekur i popullsisë me simptoma të gripit janë fëmijët, ndërsa prindërit e kanë për obligim të konsultohen te mjeku amë i tyre, të cilët do duhet t’ju shpjegojnë simptomat dhe mënyrat e trajtimit dhe t’ju japin këshilla për parandalimin dhe mbrojtjen nga përhapja e gripit.
Mjekja Bardha Bakiu thekson se vaksinimi i fëmijëve është mënyra e vetme për t’i mbrojtur fëmijët nga gripi sezonal, sidomos për fëmijët me sëmundje kronike.
“Gripi është sëmundje akute Infektive , që përhapet me rrugë aerogjene , mjaft kontagjioze dhe shkaktohet nga virusi i influencës. Vaksinimi si mënyra më e mirë e parandalimit, fëmijët mbi 6 muaj mund të marrin vaksinën e gripit, sidomos ato që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive, me rëndësi janë kontrollet tek mjeku për parandalim të komplikimeve të sistemit respirator”, deklaron Bakiu. Ajo shton se simptomat zakonisht manifestohen me temperaturë dhe ethe.
“Sezoni i gripit zgjat nga tetori e deri në muajin maj por si periudhë më kritike konsiderohet nga muaji dhjetor deri në mars. Simptomat kryesore janë me temperaturë, ethe, lodhje, dhembje muskujsh, kollitje, humbje oreksi etj. Simptomat zakonisht zgjasin 5 ditë, por kollitja dhe lodhja mund të vazhdojnë deri në dy javë”, shton ajo.
Ndërkaq specialistët e mjekësisë por edhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë në vendin tonë theksojnë që të gjithë qytetarët duhet të vaksinohen për gripin sezonal, pasi që për tu mbrojtur qoftë nga gripi apo virusi korona, rrugëdalja është të gjithë të pranojnë dozat e vaksinave përkatëse duke përfshirë fëmijët dhe të sëmurët e tjerë kronik të cilët janë grup moshë më e ndjeshme dhe e frekuentuar nga viruset paraprake.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë çdo vit ka viktima të cilët humbin jetën nga gripi sezonal përfshirë edhe kontinentin e Evropës.
“Çdo vit rreth 500,000 njerëz në botë vdesin nga komplikimet e gripit. Rreth 10 për qind e këtyre vdekjeve janë në Evropë. Shumë nga këto jetë mund të shpëtohen me një veprim të thjeshtë: vaksinimin e gripit sezonal. Çdo vit, të paktën 30 milionë njerëz në Rajonin Evropian të OBSH-së vendosin të vaksinohen kundër gripit. Kushdo mbi moshën 65 vjeç që ka probleme shëndetësore, është shtatzënë ose është profesionist i kujdesit shëndetësor duhet të jetë një prej tyre”, thuhet në një deklaratë të OBSH-së
Në përgjithësi gripi është një infeksion ngjitës që përhapet nga kollitja ose teshtitja. Njerëzit që janë të infektuar janë ngjitës një ditë para se të ndihen të sëmurë, për aq kohë sa zgjasin simptomat e sëmundjes. Gripi zakonisht shfaqet në shpërthime të vogla dhe arrin kulmin në javën e dytë ose të tretë pas regjistrimit të rasteve të para. Gripi shpesh shkakton shqetësim për disa ditë te të gjithë njerëzit e infektuar, por njerëzit zakonisht shërohen mjaft shpejt. Megjithatë, për njerëzit që kanë një gamë të gjerë problemesh shëndetësore, gripi mund të jetë një sëmundje serioze dhe madje fatale sidomos në periudhën kur e gjithë bota ballafaqohet me një krizë megalomane sikurse që është Kovid-19.