Grevë e përgjithshme e LSM-së në qendër të Shkupit

Kryesia dhe Këshilli i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë si organet më të larta të sindikatës nesër nga ora 13:30 deri në ora 14:30 do të bllokojnë rrugën para selisë së Organizatës së Punëdhënësve në qendër të Shkupit në shenjë të pakënaqësisë me propozimin e tyre për metodologjinë e pagës minimale.
Kryetari i LSM-së Darko Dimovski thotë se për ta është i papranueshëm propozimi i punëdhënësve sipas të cilit paga minimale do të jetë 16.164 denarë.

“Me atë që ofrojnë, paga minimale në shumën neto do të ishte 16.164 denarë, që është e papranueshme për ne në çdo rast kur e dimë se shporta minimale sindikale është 35.040 denarë. Prandaj, nesër pas përfundimit të seancës së Këshillit të LSM-së, do të dalim drejtpërdrejt me gjithë Kryesinë e LSM-së dhe të gjitha bordet greviste të protestës duke bllokuar rrugën para selisë së OPM-së dhe Odës Ekonomike të Maqedonisë”, ka thënë Dimovski.

Delegacioni i tyre do të marrë pjesë edhe në seancën e Këshillit Ekonomiko-Social të caktuar për në orën 16:00 në Qeveri, dhe nëse nuk pranohet kërkesa e tyre për pagë minimale prej 18.000 denarë dhe rritje graduale të të gjitha pagave të tjera, ata do të shkojnë në grevë të përgjithshme.

“Nëse në ora 16:00 nuk pranohen kërkesat për pagë minimale prej 18 mijë denarë dhe rritje sistematike e të gjitha pagave, greva do të fillojë para këtyre dy organizatave të punëdhënësve dhe në të ardhmen do të vazhdojë në dëm të tyre nuk do të lejojmë që dëm të pësojnë vetëm punonjësit”, theksoi Dimovski./Telegrafi/

LSM – Maqedoni