Greqia krah Turqisë pas tërmetit apokaliptik, dërgon ekipin e kërkim-shpëtimit

Pavarësisht tensioneve dhe konflikteve të herë pas hershme, Greqia ka treguar solidaritetin e saj ndaj Turqisë, pas tërmeteve vdekjeprurëse që shkaktuan vdekjen e 1498 personave dhe plagosjen e 8,533 të tjerëve ditën e sotme.

Bëhet me dije se nga Greqia janë nisur një ekip kërkimi dhe shpëtimi.

Mediat turke shkruajnë se Greqia ka dërguar si ndihmë një aeroplan transporti ushtarak i tipit C-130 që mban 21 zjarrfikës me ekspertizë në punën e kërkim-shpëtimit, dy qen special, materiale ndihme mjekësore dhe humanitare. Po ashtu, ekipi do të shoqërohet nga disa mjekë.

Ky lajm është bërë i njohur dhe nga autoritetet greke. Në një postim në Twitter, Ministri i Emigracionit dhe Azilit në Greqi, Notis Mitarakis, shprehu ngushëllimet e tij popullit të Turqisë dhe Sirisë për tërmetet shkatërruese.

“Greqia dërgoi menjëherë ndihma humanitare dhe ekipe të specializuara. Ne jemi fqinjë, duhet të mbështesim njëri-tjetrin në kohë të vështira”, shkruan ai.