Ministri grek i mbrojtjes, Panos Kammenos, ka paralajmëruar largimin e tij nga qeveria në rast se marrëveshja Athinë – Shkup nuk miratohet edhe me referendum në Greqi. Kamenos është edhe kryetar i partisë Grekët e Pavarur, aleates së vetme në qeverinë e kryeministrit Tsipras. Në kuadër të deklaratës së tij bombastike, Kamenos ka shtuar se për t’u miratuar marrëveshja duhet të kalojë përmes referendumit, ose të bëhen zgjedhje të reja.
“Marrëveshja nuk ka për të ardhur në parlament pa marrë më parë mendimin e popullit grek. Dhe kjo bëhet me dy mënyra: ose me zgjedhje të reja, ose me referendum. Përgjegjësinë e marr përsipër unë, si kryetar i Grekëve të Pavarur. Marrëveshja e Prespës është e keqe, nuk e pranoj dhe do të përpiqem ta bllokoj”,- tha ministri i mbrojtjes i Greqisë, Panos Kamenos.
Dhënia e ftesës për anëtarësimin e Maqedonisë në samitin e NATO-s, sipas Kamenosit, është vetëm akt formal. Sipas tij, Shkupi nuk ka asnjë të ardhme në NATO nëse nuk ratifikohet marrëveshja, duke shtuar se ai do të kujdeset që marrëveshja të mos ratifikohet. Kamenos deklaroi se kur marrëveshja Athinë – Shkup të mbërrijë në parlamentin grek për ratifikim, ai do të largohet nga qeveria dhe do të kërkojë zgjedhje të reja.
Edhe kreu i i opozitës, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar se për grekët marrëveshja është e papranueshme për shkak të pranimit të gjuhës dhe identitetit maqedonas, por do ta pranojnë nëse miratohet nga ana e parlamentit grek.
“Gjithmonë kemi thënë se duam zgjidhje, por që ajo duhet t’i respektojë sensibilitetet e të dyja palëve. Pranimi i identitetit të Maqedonisë është i papranueshëm për pjesën më të madhe të grekëve. Nuk dua ta paguaj çmimin me destabilizim të vendit tim që t’i stabilizoj fqinjët veriorë. Nuk mundemi të pranojmë gjuhë dhe identitet maqedonas”,- tha kreu i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis.
Nga ana tjetër, nga kabineti i kryeministrit Tsipras thuhet se marrëveshja do të respektohet deri në fund.
“Dëshirë e qeverisë është që Marrëveshja të ketë shumicë më të madhe në Parlament. Sapo pala tjetër t’i përmbushë obligimet që dalin nga Marrëveshja, Qeveria do të marrë vendime që kanë të bëjnë në mënyrë kolektive me procesin e ratifikimit, gjithmonë duke i respektuar obligimet ndërkombëtare dhe Kushtetutën e vendit”,- thuhet nga Qeveria e Greqisë.
Ndërsa shefi i Diplomacisë greke, Koxias, ka deklaruar se ekziston shumicë parlamentare në Kuvend për ratifikimin e Marrëveshjes.
“Nuk kam se për çfarë ta komentoj Kamenosin, nuk është kompetencë e imja. Marrëveshja për emrin është shumë e mirë, nuk devijon nga sovraniteti nacional që të vihen si parakusht votat e 180 deputetëve në Kuvend. Kamenos i di këto punë dhe bën përzgjedhjen e tij politike. Ne e zgjidhëm problemin sepse mendojmë se është në interes nacional, pavarësisht se a ekziston BE dhe NATO. Është në dobinë tonë që të zgjidhim problemet që na mbajnë peng në të kaluarën”,- deklaroi ministri i punëve të jashtme i Greqisë, Nikos Koxias.
Syriza e Ciprasit ka gjithsej 145 deputetë, ndërsa i nevojiten edhe 6 deputetë të tjerë për ta ruajtur mandatin qeverisës.