Gratë shtatzëna dhe ato mbi 60 vjeç në Maqedoni nuk duhet të shkojnë në punë as këtë javë

Ministri i shëndetësisë Bekim Sali, edhe një herë sot rikujtoi për gjendjen e jashtzakonshme si pasojë e temperaturave të larta që kanë kapluar vendin, masa këto që vlejnë deri më 27 korrik.

Shtatzënat dhe personat mbi 60 vjeç do të lirohen nga puna deri më 27 korrik për shkak të valës së të nxehtit, ka vendosur Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

“Sipas informacioneve të meteorologëve presim sërish temperatura të larta pas datës 24 korrik, ndaj qeveria ka shtyrë deri më 27 korrik vendimin që i referohej përjashtimit nga puna të personave të caktuar”, njofton qeveria.

Propozimi për lirim nga obligimet e punës deri më 27 korrik vlen për grupet vulnerabël të qytetarëve, përfshirë gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, njofton MPB.

Gjithashtu rekomandohet që kopshtet të mos i nxjerrin fëmijët jashtë nga ora 11:00 deri në orën 17:00 dhe që punëdhënësit të respektojnë detyrimet ligjore në lidhje me disa procese teknologjike dhe prodhuese që paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve.

Në Maqedoninë e Veriut sot priten temperatura prej 35 deri në 41 gradë Celsius.