Gratë shqiptare midis karrierës dhe familjes!


Një ndër temat e shumëpërfolura në ditët e sotme është debati i bujshëm Karrierë- Familje. Për një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë nxit debat të fortë pjesa e familjes, rëndësia e saj dhe gjykimi i konceptit të një gruaje “moderne”. Automatikisht kur flasim për zhvillim të karrierës bëhet lidhja me modernizimin, duke harruar këtu që në ditët e sotme vështirësitë e jetës ekonomike dhe zhvillimi u një familjeje të shëndetshme lidhet ngushtë dhe me një bazë të ardhurash të mira.

*Ergi Male, psikologe klinike

Sot kemi kaluar përtej kontekstit të një gruaje që koha i dedikohej tërësisht punëve të shtëpisë dhe fëmijëve, ku po kjo grua duhet të ishte e angazhuar me kohë të plotë brenda aktiviteteve gjithëpërfshirëse të shtëpisë. Pra, thënë kështu, një nënë e mirë, një amvisë e mirë dhe një kujdestare me kohë të plotë. Sot një grua punon fort për të arritur idealin e saj qoftë ai personal, profesional apo shoqëror.

Ndarja e punëve në çift ku bashkëshorti tashmë ka marrë një rol ndihmës për familjen ka lehtësuar dhe përmirësuar disi stilin dhe ritmin e jetesës. Balanca ideale midis karrierës dhe familjes është vështirë për t’u nderuar, pasi nuk ka një recetë me rregulla të shkruara që duhen të ndiqen me përpikëri. Por shumë gra e kanë treguar që asgjë nuk është e pamundur, përkundrazi, shumë gra arrijnë përtej gjykimeve të shoqërisë, duke qenë kështu nëna shembullore, gra të arrira dhe bashkëshorte ideale.

Ashtu sikurse nuk duhet harruar, rëndësia që ka koha e kaluar me familjen e përkthyer ndryshe në kohë cilësore dhe jo vetëm sasiore, duke përfshirë organizimin e kohës së lirë me familjen, darkat e ngrohta familjare, udhëtimet e përbashkëta dhe bisedat e gjata me pjesëtarët e familjes. Çelësi i çdo suksesi të mundshëm është të diskutosh, të shkëmbesh mendime, të marrësh dhe të japësh nga idetë e gjithsecilit prej anëtareve të familjes. Për t’i lënë kështu vendin çdo përmirësimi të mundshëm.

Padiskutim që përtej çdo arritjeje, arritja më e madhe e çdo njeriu mbetet familja. Të pasurit e një familje ët shëndetshme psikologjikisht, bazë e secilës krijohet gradualisht. Gjithsecili prej nesh do të dëshironte një familje me baza të shëndetshme, por përtej asaj shtëpisë së ngrohtë, bota atje jashtë është e ashpër. Janë shumë njerëz që duhet të sakrifikojë dhe punojnë fort për t’i arritur dëshirat dhe ëndrrat e tyre. Ashtu sikurse kemi dhe shumë faktorë madhorë që ndikojnë në përditshmërinë tonë, ku mirëqenia ekonomike vjen së bashku me një orar ndoshta të tejzgjatur pune, pa kuptuar kështu që një pjesë e mirë e orëve tona të ditës shkon në këtë drejtim.

Secili prej nesh ka kohën e tij për ta menaxhuar dhe shpenzuar praktikisht në gjërat që e bëjnë të ndihet mirë. Sepse në mirëqenie me veten mund të japim produktivitetin e duhur për veten, familjen dhe shoqërinë.

Mos të harrojmë që gratë e suksesshme janë kudo. Suksesi është brenda nesh, duhet vetëm ta zhvillojmë atë.