Mungesa e grave në pozita vendimmarrëse në nivel lokal dhe qendror lidhet ngushtë me mbështetjen e pamjaftueshme të brendshme në partitë politike, me gjuhën e kudondodhur të urrejtjes drejtuar ndaj grave në politikë, si dhe me rolet, stereotipat dhe paragjykimet aktuale gjinore në shoqëri… Kështu shpjegon analiza e ESHS arsyen e hendekut gjinor në politikë dhe pse për tre dekada asnjë grua nuk është zgjedhur presidente, kryeministre, apo kryetare parlamenti
Edhe pse përfaqësimi në parlament i gruas është rritur, zgjedhja në poste drejtuese, kryeministre, ministre, kryetare komunash…, vazhdon të jetë i ulët. Një nga arsyet pse gratë kanë ende akses të kufizuar në vendimmarrje – është mbështetja e kufizuar që ato marrin si kandidate për poste drejtuese. Mungesa e grave në pozita vendimmarrëse në nivel lokal dhe qendror lidhet ngushtë me mbështetjen e pamjaftueshme të brendshme në partitë politike, me gjuhën e kudondodhur të urrejtjes drejtuar ndaj grave në politikë, si dhe me rolet, stereotipat dhe paragjykimet aktuale gjinore në shoqëri. Kështu shpjegohet në publikimin “Gratë dhe burrat në Maqedoninë e Veriut”, publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikave hendeku i thellë gjinor si në ekzekutiv, ashtu edhe në pushtetin lokal.
Gratë janë të nënpërfaqësuara në postet ministrore në degën ekzekutive, konstatohet ndër të tjera ku po ashtu thuhet se që nga viti 1991, asnjë grua nuk është zgjedhur Presidente, Kryeministre, apo kryetare Parlamenti. Me përjashtim të dy qeverive kalimtare që udhëhiqeshin nga një kryeministre femër, të dyja për periudha të shkurtra në vitin 2004 ( 21 ditë dhe 24 ditë). Po ashtu në periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2020, nga gjithsej 34 nënkryetarë të Kuvendit, vetëm gjashtë ishin gra.
“Përmirësimi i vazhdueshëm i rregullativës zgjedhore pati ndikim pozitiv në pjesëmarrjen e grave në politikë. Përkatësisht, ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kërkonin fillimisht 30%, e më pas 40% të gjinisë së nënpërfaqësuar në listat e kandidatëve, kontribuuan në rritjen e vazhdueshme të numrit të deputeteve femra në Parlament. Edhe pse numri i deputeteve femra ishte jashtëzakonisht i ulët në periudhën nga viti 1990 deri në vitin 2002, kur u prezantuan për herë të parë masat afirmative (kuotat), deri në vitin 2020, 39.2% e deputeteve ishin gra – që është përqindja më e madhe e grave në parlament. Megjithatë, aktualisht është vetëm një femër deputete rome”, thuhet në publikim.
Në qeverinë e parë të vitit 1991, asnjë grua nuk u emërua në poste ministrore. Një rritje në pjesëmarrjen e grave ndodhi kur u formua qeveria e dytë në vitin 2004 – dy gra u emëruan ministre (15.4%). Vetëm në dy qeveritë e fundit, të zgjedhura në 2017 dhe në 2022, numri i ministrave femra u rrit në katër.
Po ashtu edhe përfaqësimi i grave në pozitat ekzekutive në nivel lokal është i ulët dhe ka mbetur në të njëjtin nivel gjatë dekadave të fundit. Në një periudhë prej 25 vitesh, në zgjedhjet vendore janë zgjedhur vetëm 18 gra në krye të bashkive, krahasuar me 642 kryetarë bashkie meshkuj. Në disa vite – 1996 dhe 2009 – asnjë grua nuk u zgjodh në zgjedhjet për kryetar komune. Përqindja më e lartë e kryetareve të zgjedhura femra është 7.4% (6 gra), dhe kjo ishte në vitin 2017. Pavarësisht përfaqësimit të ulët në postet e kryetareve të komunave, gratë janë aktive dhe të zëshme gjatë fushatave zgjedhore. Numri më i madh i grave kandidoi në zgjedhjet për kryetar komune në vitin 2013, ndërsa në vitin 2017, 37.5% e kandidatëve për kryetar komune ishin gra, dhe gjashtë nga çdo 16 gra që garuan u zgjodhën. Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit të kaluar vetëm dy u zgjodhën kryetare komune, një prej të cilave është kryetare e komunës së Shkupit.
PUSHTETI EKZEKUTIV:
Qeveria 1991: 0 GRA 19 burra; Qeveria 1992: 2 GRA 18 burra; Qeveria 1994: 2 GRA 19 burra; Qeveria 1998: 2 GRA 28 burra; Qeveria 2002: 1 GRUA 14 burra; Qeveria 2004: 2 GRA 13 burra; Qeveria 2006: 2 GRA 15 burra; Qeveria 2008: 2 GRA 16 burra; Qeveria 2011: 2 GRA 17 burra; Qeveria 2014: 2 GRA 20 burra; Qeveria 2017: 4 GRA 18 burra;
PUSHTETI LOKAL:
Nga zgjedhjet e vitit 1996 deri në zgjedhjet e fundit lokale 2021: – 18 GRA kryetare komunash; – 642 BURRA kryetarë komunash./(koha.mk)